Arbëri

Supremja shfuqizon nenin që parashihte kufizimin në 1 muaj të kompensimit të udhëtimeve zyrtare

mm

Gjykata Supreme e ka shfuqizuar kufizimin në kohë të së drejtës për kompensimin e udhëtimeve zyrtare, konkretisht nenin 6 paragrafi 6 i Rregullores për Kompensimin për Udhëtime Zyrtare dhe Shpenzime të Përfaqësimit. 

Padia ishte parashtruar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) kundër Qeverisë së Kosovës, duke i kërkuar shfuqizimin e pjesshëm të aktit nënligjor normativ. 

Sipas njoftimit të Gjykatës, KDI-ja në korrik 2025 ka pranuar ankesë nga një grup i ushtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të cilët kanë raportuar për shkeljen e Ligjit për Pagat në Sektorin Publik, lidhur me kompensimin e udhëtimeve zyrtare.

Gjykata Supreme, pas shqyrtimit të rastit, ka vlerësuar se kërkesëpadia e KDI-së është e bazuar dhe se dispozita e kontestuar bie ndesh me legjislacionin në fuqi.

“Neni 6 i kësaj Rregulloreje, vendosë kufizimin që shpenzimet e udhëtimit zyrtar nuk mbulohen për periudha më të gjata se një muaj. Por, ky kufizim njëmujor për mbulimin e shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, nuk parashihet në ligj. Ligji për Pagat në Sektorin Publik garanton qartë të drejtën e zyrtarëve publikë për kompensim të shpenzimeve të udhëtimit zyrtar, pa asnjë kufizim kohor”, thuhet në vendimin e Supremes.

Tutje Supremja ka thënë se Qeveria është e autorizuar vetëm të rregullojë mënyrën, kushtet dhe procedurën e kompensimit, por jo të kufizojë vetë këtë të drejtë.

“Gjykata Supreme vlerëson se kufizimi njëmujor nuk është thjesht një rregull teknik, por cenon thelbin e së drejtës së garantuar me ligj dhe tejkalon kompetencat e Qeverisë”, thuhet në vendim.