Në një diskutim në podcastin PIKË me aktivistin Rron Gjinovci, publicisti Veton Surroi ngriti shqetësimin se arsimi në Kosovë po humb funksionin e tij thelbësor, duke u shndërruar në një sistem që prodhon diploma, jo dije.
“Ideja se arsimi shndërrohet në profit, e shndërron pastaj arsimin në fabrikë të prodhimit të diplomës, dhe ky është njëri prej problemeve thelbësore”, deklaroi Surroi, duke theksuar se kriza në arsimin e lartë nuk është vetëm teknike, por rrënjësisht strukturore dhe kulturore.
Ai vuri në dukje tri sfida kryesore që përballen universitetet në Kosovë sot: mungesa e një vizioni shtetëror për arsimin publik, kontrolli politik mbi universitetet, dhe mungesa e kuadrove cilësore përballë një shpërndarjeje të pakontrolluar të institucioneve të arsimit të lartë nëpër qytete të ndryshme.
Sipas Surroit, mungesa e elitarizmit akademik – dikur një standard i natyrshëm i universitetit – ka bërë që diploma të mos përfaqësojë më një vlerë të mirëfilltë intelektuale.
Në fund, ai theksoi se përballë revolucionit teknologjik, universiteti duhet të përshtatet urgjentisht me ndryshimet strukturore dhe shoqërore, në mënyrë që gjeneratat e reja të jenë të gatshme për tregun e punës së së ardhmes.
