Arbëri

Sveçla: Profilet e numrit që alarmoi për bombë, kanë fotografi të Mladiqit

Xhelal Svecla

Foto: Arkiv

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka thënë se numri përmes të cilit është bërë kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës është i një shtetasi serb të quajtur Lazar Zhivkoviq. Ai në një postim në Facebok ka shkruar se në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës, Ratko Mladiq.

Ai tutje ka deklaruar se institucionet e Kosovës janë duke trajtuar rastin me prioritet të lartë dhe do të kërkojnë mbështetje ndërkombëtare për arrestimin dhe vënien para përgjegjësisë të personave që qëndrojnë pas kërcënimit, sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Me datën 05.07.2025, një kërcënim për bombë është adresuar ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës. Institucionet relevante të sigurisë e kanë trajtuar me prioritet të lartë kë të sulm hibrid ndaj institucioneve të Kosovës, i cili është konfirmuar se ka origjinën në Serbi. Numri i telefonit nga i cili është bërë kërcënimi është i regjistruar në Serbi dhe i përket kompanisë telefonike MTS. Shfrytëzuesi i numrit ka qenë ose është shtetasi serb Lazar Živković. Në disa profile të lidhura me këtë numër është gjetur fotografia e kriminelit të luftës Ratko Mladić”, thuhet në njoftim.

Sveçla ka thënë se sulmuesit dhe kërcënuesit që strehohen në Serbi, pavarësisht mbështetjes nga shteti serb, nuk do të arrijnë t’i shmangen përgjegjësisë.

Ratko Mladiq, ish-komandant i të ashtuquajturës Ushtri e Republikës Srpska (VRS), u dënua nga Mekanizmi Ndërkombëtar për Gjykatat Penale në vitin 2021 me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve të luftës gjatë luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë (BiH) nga viti 1992 deri në vitin 1995.

Nën komandën e tij, forcat e VRS, sipas vendimeve të Tribunalit të Hagës, e mbajtën Sarajevën nën rrethim për tri vjet, ndërsa qytete të tilla si Foca, Prijedor dhe Vishegrad u spastruan etnikisht nga popullatat jo-serbe.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se konfirmimi se kërcënimi me bombë e ka origjinën në Serbi, dëshmon edhe njëherë luftën aktive hibride të Serbisë ndaj Kosovës.

“Përgëzoj institucionet shtetërore për reagimin e shpejtë dhe profesional”.