Arbëri

Temperaturat e larta “aktivizojnë” reduktimet e ujit në Podujevë

Reduktime të ujit po aplikon Kompania Rajonale e Ujësjellësit KRU “Prishtina” në qytet dhe disa fshatra të Komunës së Podujevës. Këto reduktime kanë nisur me ngritjen e temperaturave të larta. Sipas zëdhënëses së KRU “Prishtina”, Arjeta Mjeku-Azizi këto reduktime do të vazhdojnë derisa të bien temperaturat.

“Për shkak të harxhimeve të shtuara në këtë kohë dhe furnizimit të pamjaftueshëm me ujë për zonën e qytetit të Podujevës, ne kemi filluar me reduktime të ujit për disa zona, në mënyrë që të kenë ujë gjithë njësoj. Nga ora 09:00 deri në orën 16:00 janë në reduktim këto fshatra që furnizohen nëpërmes gypit DN-400mm: Rrugët ‘Fitorja’ dhe ‘Haxhi Sadria’, fshati Dumnicë, fshati Shtedim dhe pika kufitare në Merdar që furnizohen me gypi 110 mm, fshati Ballovc që furnizohet me gypin 90 mm”, ka theksuar Arjeta Mjeku-Azizi.

“Kurse, zona e qytetit (pjesa e poshtme) nga shkolla e mesme ekonomike ‘Isa Boletini’ deri te ish-rr. ‘Llapi’ dhe nga rrethqarkullimi në rrugën ‘Skenderbeu’ pjesa deri te ‘Qershiat e Llapashticës’ reduktohen sipas gjendjes në qendrën e qytetit”.

Zëdhënësja e Kru “Prishtina” ka theksuar se me reduktime janë edhe linjat nga fshati Albaniku (Shajkovc) në Podujevë dhe nga Albaniku në Prishtine.

“Kjo gjendje do të zgjasë derisa të bien temperaturat dhe me rënien e tyre bie edhe shpenzimi enorm i ujit. Pra, si pasojë e infrastrukturës dhe konsumit të lartë si dhe keqpërdorimet, ngase numri i konsumatorëve po rritet e infrastruktura është e njëjta pothuajse. Por, jemi gradualisht duke investuar”, ka thënë ajo.