Arbëri

Teprimi 28 milionë eurove, opozita e quan të paaftë Shpend Ahmetin

Së paku 27.4 milionë euro është shuma parave që i kanë tepruar Komunës së Prishtinës nga buxheti i vitit 2019.

Kësaj radhe, vlera e parave të pashpenzuara, kryesisht nga investimet kapitale, është për 3 milionë euro më e madhe sesa në vitin 2018, transmeton KTV.

Derisa vlerëson se kryeqyteti ka nevojë të madhe për investime, opozita e quan skandaloz raportin financiar të Komunës dhe të paaftë kryetarin Shpend Ahmeti.

Komuna nuk ka arritur ta shpenzojë në 4.2 milionë grantin qeveritar prej 55 milionë eurosh, ku për pasojë, shuma e mbetur do t’i kthehet mbrapsht Qeverisë.

Një praktikë të tillë e vlerësojnë të dëmshme edhe partnerët e koalicionit me të cilët Ahmeti drejton Prishtinën.

Ndërsa, Lëvizja Vetëvendosje ka përsëritur thirrjet drejtuar Ahmetit për largim nga pozita e kryetarit.

Trendi në rënie i shpenzimeve për investime kapitale, sipas monitoruesve të punës së komunës, tregon se ekzekutivi komunal nuk po angazhohet në menaxhimin e kësaj kategorie.

Opozita thotë se përqindja e investimeve kapitale do të ishte edhe më e vogël, sikur komuna nuk do t’i kishte përdorur mjetet e kësaj kategorie për t’i paguar borxhet e disa ndërmarrjeve.

Këshilltarët komunalë kanë paralajmëruar se vlera e buxhetit të pashpenzuar mund të rritet ende.

Krahasuar me vitet paraprake, niveli i ekzekutimit të buxhetit për investime kapitale ka pësuar rënie drastike.

Në vitin 2015, nga kjo kategori buxhetore ishin shpenzuar 62 për qind e mjeteve në dispozicion, më 2016 58 për qind, gjatë 2017-s 56 për qind, ndërsa në vitin 2018 janë shpenzuar vetëm 43 për qind e mjeteve për investime kapitale.