Arbëri

Themelorja dhe Supremja reduktojnë orarin e punës, shkak temperaturat e larta

Themelorja Prishtine

Gjykata Themelore në Prishtinë dhe Gjykata Supreme kanë vendosur ta reduktojnë orarin e punës, të paktën deri më 25 korrik, si pasojë e temperaturave të larta në Pallatin e Drejtësisë.  

Orari i shkurtuar do të jetë nga ora 8:00 deri në ora 14:00, ndërsa shërbimet administrative do të mbeten funksionale pas orës 14:00, por me staf të kufizuar, të caktuar me rotacion sipas stafit përgjegjës, thuhet në njoftimin e Themelores. 

Seancat gjyqësore të caktuara pas orës 14:00, do të zhvillohen sipas orarit të paraparë, me përjashtim kur gjyqtari i rastit apo trupi gjykues vlerëson se kushtet nuk ekzistojnë për mbajtjen e tyre. 

Personat e diagnostikuar me sëmundje kronike lirohen nga puna pas orës 12:00. 

“Këto masa janë të përkohshme dhe do të vlerësohen në mënyrë të vazhdueshme, duke mundësuar zgjatjen apo ndryshimin e tyre,  varësisht nga zhvillimet klimatike dhe vlerësimet e menaxhmentit të gjykatës.  Masat e aplikuara do të zgjasin deri më datë 25.07.2025, me mundësi rishikimi”, është thënë në njoftimin e Themelores së Prishtinës. 

Në njoftim është thënë se masat janë marrë si pasojë e kushteve të rënduara të punës në objektin e Pallatit të Drejtësisë, si pasojë e temperaturave të larta dhe mungesës së klimatizimit. 

Edhe Gjykata Supreme njoftoi se kryetari Fejzullah Rexhepi, ka vendosur që të reduktohet puna në këtë institucion.

“Gjyqtarët dhe stafi mbështetës me probleme shëndetësore nga mesdita janë liruar nga puna. Këto masa do të rishikohen në vazhdimësi, varësisht nga ndryshimet klimatike dhe sanimi i problemeve nga Ministria e Punëve të Brendshme, si përgjegjëse për menaxhimin e objektit”.