Nga nesër, 21 qershor, e në ditët në vijim pritet që të nisë një mungesë e theksuar e prodhimit vendor të energjisë elektrike. KESCO ka paralajmëruar se në rastin më ekstrem, kjo do të nënkuptojë që e gjithë sasia e energjisë elektrike për konsumatorët në Kosovë do të duhet të mbulohet përmes importit.
Përmes një njoftimi, KESCO ka theksuar se është duke ndërmarrë të gjitha përpjekjet për të siguruar furnizimin e nevojshëm dhe për të garantuar qëndrueshmëri në sistem, pavarësisht sfidave të mëdha logjistike dhe kostos së lartë të energjisë në tregjet ndërkombëtare.
Marrë parasysh vështirësitë për import të një sasie kaq të madhe sa e parasheh KESCO, është bërë thirrje urgjente për kursim të rrymës.
“Megjithatë, importimi i një sasie kaq të madhe paraqet vështirësi të konsiderueshme si nga aspekti teknik, ashtu edhe ai financiar. Për të minimizuar ndikimin e kësaj situate, KESCO u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të aplikojnë masa të menjëhershme të kursimit të energjisë elektrike”, thuhet në njoftim.