Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Gjykata aprovon marrëveshjen mes Jevtiqit dhe Prokurorisë për pranimin e fajësisë

Bojan Jevtiq

Gjykata Themelore e Prishtinës ka aprovuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë të arritur mes togerit të Policisë së Kosovës të akuzuar për spiunazh Bojan Jevtiq dhe Prokurorisë Speciale. 

Prokurori Bekim Kodraliu ka treguar edhe dënimet e rekomanduara për veprat që ka kryer. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për spiunazh ai ka rekomanduar shqiptim të dënimit efektiv nga pesë deri gjashtë vjet burgim, për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve është rekomanduar dënim me burgim prej 6 muajve që mund të zëvendësohet me 6000 euro gjobë. 

Krahas kësaj është kërkuar edhe t’i konfiskohen paratë e sekuestruara nga i akuzuari përveç 3000 eurove dhe ndalim i ushtrimit të funksionit në organe shtetërore për periudhë pesëvjeçare. 

Avokati Millosh Nikoliq tha se qëndron pranë marrëveshjes dhe i ka kërkuar gjykatës ta marrë parasysh se Jevtiq është mbajtës i familjes dhe nuk është dënuar asnjëherë më parë. 

Gjykata do ta shpallë aktgjykimin sot. 
 


Togeri policor pranon fajësinë për spiunazh

Togeri i Policisë së Kosovës i akuzuar për spiunazh, Bojan Jevtiq, ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale. 

Kështu bëri të ditur gjyqtari Kushtrim Shyti, i cili tha se seanca që mbahet sot në Gjykatën Themelore, është seancë dëgjimore sa i përket shqyrtimit të marrëveshjes së fajësisë.

Jevtiq, i cili është suspenduar nga Policia, në bazë të aktakuzës i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, duke i dorëzuar nëpërmjet platformave të komunikimit me internet, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale. 

Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

“Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin.

Sipas Prokurorisë Speciale, Jevtiqi i ka dërguar BIA-s informata si shkak i të cilave janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës e edhe qytetarëve.

Në aktakuzë theksohet se aplikacionet e mesazheve WhatsApp dhe Telegram janë përdorur për t’i transmetuar sekretet shtetërore të zyrtari i BIA-s, me nofkën “Qira”, e me të cilin është takuar edhe fizikisht në disa raste në Beograd.

“Me këto veprime, i pandehuri edhe pse në dijeni për natyrën e klasifikuar të dokumenteve dhe pasojat e mundshme, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në aktakuzë.

Për spiunazh në Kosovë është dënuar ish-polici i Kosovës, Aleksandar Vlajiq me pranim fajësie vitin e kaluar. Sivjet në shkallë të parë është dënuar edhe zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq. Ajo është dënuar me gjashtë vjet burgim.

E gjykimi i Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit e as ai i Hysri Selimit.

Në paraburgim nën dyshimet për spiunazh është edhe Fatmir Sheholli, që ishte pjesë e Sigurimit Shtetëror të Serbisë në vitet e 90-a.