Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Transparenca në pikëpyetje, kërkohet rishikim i Ligjit për Qasje në Dokumente Publike

Qeveria

Institucione si SHSKUK-ja që ka refuzuar kërkesën e KOHËS për qasje në dokumente publike, pranojnë të gjobiten me qëllimin për të mos publikuar informata që duhej të ishin të qasshme. E, aktivistë të shoqërisë civile thonë se duhet ndryshuar Ligji për Qasje në Dokumente Publike, meqë versioni aktual nuk po ndikon që të arrihet qëllimi kryesor, që është transparenca

Ndonëse Ligji për Qasje në Dokumente Publike ka të përshkruar si qëllim garantimin e transparencës dhe qasjes së qytetarëve në dokumente dhe informacione publike, dispozitat e tij jo gjithmonë e garantojnë këtë në praktikë.

Kur kjo e drejtë u mohohet palëve të interesuara, adresa për realizimin e saj, sipas ligjit, është ankesa në Agjencinë për Informim dhe Privatësi. 

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Por, ka raste kur procesi përfundon vetëm me shqiptimin e një gjobe ndaj institucionit, pa u siguruar qasja në dokumentet e kërkuara. Kjo, pasi mandati i AIP-së, sipas ligjit, përfundon me shqiptimin e gjobës.

Në organizatat e shoqërisë civile kërkojnë rishikimin e Ligjit, me qëllim zgjerimin e kompetencave të Agjencisë për Informim dhe Privatësi.

Drejtoresha e “Lëvizjes Fol”, Mexhide Demolli-Nimani, shtron nevojën për forcim të kompetencave për zbatim më efektiv të ligjit.

“Fatkeqësisht detyra e Agjencisë përfundon aty te dhënia e gjobës. Ligji nuk i obligon që të bëjnë diçka më shumë, andaj konsideroj që është më se i nevojshëm një vlerësim ex-post i ligjit për qasje në dokumente publike në mënyrë që pse jo, ndoshta të ketë edhe kompetenca pak më të zgjeruara vetë Agjencia për Informim dhe Privatësi”, ka thënë ajo.

Edhe hulumtuesi në Institutin e Kosovës për Drejtësi, Naim Jakaj, thotë se ligji duhet ndryshuar.

“Në legjislaturën e 11-të sapo të konstituohej do të duhej që të niste një diskutim mbi ndryshimet ligjore të cilat do të duhej t’i bënte Kuvendi i Kosovës, respektivisht Qeveria, e më pas t’i miratonte Kuvendi. Krejt këto të shtrihen në drejtimin që përtej gjobës që i jepet institucionit, të ketë edhe masa të tjera ndaj personave përgjegjës”, është shprehur Jakaj.

Përfaqësues të shoqërisë civile vlerësuan se sistemi aktual i sanksioneve për moszbatimin e Ligjit për Qasje në Dokumente Publike nuk është efektiv.

“Gjoba paguhet nga mjetet e vetë institucionit që refuzon qasjen dhe sërish ato mjetet kthehen në buxhetin e shtetit, konsideroj që duhet të bëhet përmirësim në këtë aspekt”, ka thënë Demolli-Nimani.

E Jakaj thotë se për moszbatimin e vendimeve të AIP-së do të duhej të listohen sanksione edhe në Kodin Penal, meqë paratë që iu merren institucioneve, u kthehen në një formë tjetër.

“Institucionet po mjaftohen me pagesën e gjobës që jep AIP, paratë po kthehen në thesar të Kosovës dhe kur po bëhet rishikimi i buxhetit ose rialokimi i buxhetit për atë institucion, Ministria e Financave ose Qeveria po i rialokon ato mjete dhe po i dërgon prapë te i njëjti institucion. Pra është vetëm një mobilitet i parasë që qëllimi në fund nuk mbërrihet te transparenca, pra do të duhej që kur të jepet gjoba të vetëdijesohet institucioni, personi përgjegjës dhe të arrihet qëllimi i ligjit. Qëllimi i ligjit e dimë, është transparenca”, ka thënë Jakaj.

Agjencia për Informim dhe Privatësi nuk ka dhënë përgjigje lidhur me numrin e rasteve kur institucionet kanë zgjedhur gjobën në vend të ofrimit të qasjes në dokumente publike, si dhe nëse në këto raste sigurohet transparenca dhe zbatimi i plotë i ligjit.

Ditë më parë, gjobë nga AIP-ja prej 3.000 eurosh ka marrë SHSKUK-ja, pasi ka refuzuar kërkesën e KOHË-s për qasje në dokumente zyrtare.