Punonjësit thonë se për këtë nuk kanë marrë kurrfarë arsyetimi nga ndërmarrja. E në “Trepçë” e pranuan mospagesën e kontributeve në trust, tek thanë se shkak për këtë është situata e vështirë financiare në të cilën ndodhet ndërmarrja
Ka së paku dy vjet qëkur punëtorë të “Trepçës” thonë se menaxhmenti i ndërmarrjes nuk e ka zbatuar obligimin ligjor për t’ua paguar kontributet pensionale.
Me legjislacionin në fuqi, të gjithë të punësuarit e regjistruar në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga mujore - 5 për qind e të cilave i mbulon punëdhënësi e 5 të punësuarit.
E tek ankohet se punëdhënësi nuk e ka zbatuar këtë pjesë, punëtori Avni Aliu thotë se për mospagesën e kontributeve nuk është dhënë asnjë arsye.
“Mosekzekutimi i mjeteve në Trust qe dy vjet, saktësisht 26 muaj, nuk është ekzekutu asnjë mjet në trust dhe asnjë arsye nuk na kanë dhënë pse nuk na janë ekzekutu mjetet”, ka thënë Aliu.
E kryetari i Sindikatës së Pavarur të Minatorëve të “Trepçës”, Ibrahim Januzi, paralajmëroi trajtimin e çështjes në gjykata, tek bëri të ditur se minatorët veçse kanë angazhuar avokatë për t’i kërkuar paratë e tyre në rrugë ligjore.
“Që nga viti 2019, kur janë shfaqur problemet me mospagesën e trustit, janë rreth 210 punëtorë të dalë në pension dhe si rezultat i mosdaljes së trustit ata janë dëmtuar shumë, sepse nuk arrijnë t’i gëzojnë kontributet e veta që e kanë në trustin pensional. Ne si minatorë kemi ngritur padi në gjykatë, për me fitu të drejtën në realizimin e trustit pensional dhe ende nuk ka zgjidhje tash e shumë vjet”, ka thënë Januzi.
Ai thotë se shuma e kontributeve pensionale që u ka mbetur borxh punëtorëve e kap vlerën e miliona eurove.
“Në bazë të llogaritjes nga viti 2019, mund të themi se një muaj ose dy brenda vitit janë përmbushur obligimet, ndërsa pjesa tjetër të gjitha muajt janë të papaguara, por janë rreth 6 milionë euro që nuk janë paguar”, ka shtuar ai.
Në ndërmarrjen “Trepça” nuk ofruan hollësi mbi shumën e detyrimeve ndaj punëtorëve, por thanë se mospagesa e kontributeve është bërë shkaku i gjendjes jo të mirë financiare.
“Ju njoftojmë se ‘Trepça Sh.A.’ ka kryer deklarimin e rregullt të obligimeve ndaj Trustit në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), mirëpo për shkak të gjendjes së vështirë financiare në të cilën ndodhet prej disa vjetësh, nuk ka mundur t’i përmbushte këto obligime”, thuhet në përgjigjen e ndërmarrjes “Trepça”.
Ndërmarrja “Trepça” ka në total 2 mijë e 833 punëtorë.