Arbëri

U ruhen vendet gjyqtarëve e prokurorëve serbë të dorëhequr para 3 vjetësh

gjyq

Këshilli Prokurorial e ai Gjyqësor ende nuk i kanë miratuar dorëheqjet e prokurorëve e gjyqtarëve serbë, që nga nëntori i vitit 2022. Në KPK thanë se ende nuk i kanë trajtuar në procedurë formale këto dorëheqje, e në KGJK nuk kanë kthyer përgjigje për mosmiratimin e dorëheqjeve. E në IKD e arsyetojnë mosvendimin e KGJK-së dhe KPK-së

 Këtë javë janë bërë 3 vjet nga koha kur dhjetëra gjyqtarë e prokurorë serbë dhanë dorëheqje, njëjtë si zyrtarët policorë e kryetarët e komunave në veri të vendit.

Mirëpo, dorëheqjet e gjyqtarëve e prokurorëve tash e 3 vjet nuk janë shqyrtuar nga Këshilli Prokurorial (KPK) e Këshilli Gjyqësor (KGJK).

Në KPK nuk kanë treguar për mosmiratimin e dorëheqjeve, por thanë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë zyrtare për rikthimin e prokurorëve në vendet e tyre të punës.

“Dorëheqjet ende nuk janë trajtuar në procedurë formale nga KPK-ja, ndërkohë që, në pajtim me kompetencat ligjore dhe administrative, janë pezulluar pagesat e tyre mujore. Nga numri i përgjithshëm i dorëheqjeve, tre (3) prokurorë dhe gjashtë (6) anëtarë të stafit administrativ kanë arritur moshën ligjore të pensionimit, sipas dispozitave përkatëse të legjislacionit në fuqi. Deri në këtë fazë, KPK-ja nuk ka pranuar asnjë kërkesë zyrtare për rikthim në vendin e punës nga ndonjë prokuror apo zyrtar administrativ nga radhët e komunitetit serb që kanë paraqitur dorëheqje, qoftë në mënyrë të përbashkët apo individuale”, thuhet në një përgjigje të shkruar të KPK-së.

Në këtë këshill thanë se i kanë ndërmarrë masat e nevojshme për të garantuar funksionalitetin e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, edhe pas dorëheqjes së prokurorëve.

“KPK ka ndërmarrë veprime konkrete dhe të qëndrueshme, përfshirë: Transferimin e përkohshëm të prokurorëve nga prokuroritë e tjera themelore të Republikës së Kosovës për të mbuluar nevojat emergjente të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë. Inicimin dhe zhvillimin e procedurave për transferimin e përhershëm të prokurorëve në Departamentin e Përgjithshëm të kësaj prokurorie, në përputhje me aktet nënligjore dhe vendimet e KPK-së. Rishpërndarjen e një numri të caktuar të lëndëve penale dhe civile në prokuroritë e tjera kompetente të vendit, me qëllim të garantimit të trajtimit të vazhdueshëm dhe efikas të tyre”, thuhet në përgjigje.

Dorëheqjet nuk janë trajtuar as në KGJK. Por, në këtë institucion nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS.

E në Gjykatën Themelore në Mitrovicë thanë se dorëheqjet e gjyqtarëve kanë ndikuar në funksionimin e gjykatës vetëm në muajt e parë të dorëheqjes.

“Dorëheqjet kanë ndikuar në funksionimin e gjykatës gjatë 2-3 muajve të parë, por më pas jo, pasi që Gjykata është riorganizuar dhe stabilizuar. Që nga dita e parë e dorëheqjeve të stafit serb, Gjykata Themelore në Mitrovicë ka gëzuar mbështetje të plotë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, si në aspektin e resurseve njerëzore ashtu edhe në atë logjistik. Kjo përkrahje e vazhdueshme ka mundësuar që procesi i punës të vazhdojë normalisht, duke i shërbyer interesit të publikut dhe qytetarëve të rajonit”, thuhet në përgjigjen e kësaj gjykate.

Flamur Kabashi, që është hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, e arsyeton mosvendimin e KGJK-së dhe KPK-së me nevojën e një analize e të thellë për rikthimin eventual të gjyqtarëve e prokurorëve serbë.

“Vlerësimi i rikthimit të tyre në institucione të drejtësisë, gjithmonë duhet me u bë një analizë e thukët, një analizë e saktë dhe e qartë që mos me u dëmtu drejtësia në Republikën e Kosovës, mos mu dëmtu interesat e komunitetit serb, po në të njëjtën kohë mos me u kthy dhe në njëfarë forme me u dhanë mundësia që jepet në të ardhmen për politikat ditore të Beogradit zyrtar të përdoret ë kjo formë e dorëheqjes, duke e ditë që okej se këta kanë me na kthy prapë në pozitat që i kemi”, ka thënë Kabashi.

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ndalimin e targave ilegale serbe, drejtori i Policisë për rajonin e Mitrovicës vendosi të mos e zbatojë atë. Pas kësaj, ai u shkarkua. Më pas, dhanë dorëheqje gjyqtarët e prokurorët serbë, në nëntor të vitit 2022, duke iu bashkuar zyrtarëve të tjerë serbë në komuna në veri të vendit, për të dhënë dorëheqje nga postet e tyre. Uniformat i zhveshën edhe pjesëtarët e Policisë.

Institucionet i braktisën edhe kryetarët e të katër komunave e edhe anëtarët e administratës.

Autoritetet e tjera janë deklaruar se asnjë rikthim në pozitat e mëparshme nuk mund të vihet në konsideratë, përpos KGJK-së dhe KPK-së, institucione të cilat ua kanë ruajtur pozitat gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr.