Udhëheqësit e Listës Serbe kanë takuar në Rashkë të Serbisë, Petar Petkoviqin, drejtor i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, një ditë pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë refuzoi certifikimin e kësaj partie për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Në një njoftim në X, Petkoviq ka thënë se me liderët e partisë më të madhe serbe në Kosovë kanë diskutuar për situatën politike, ekonomike dhe të sigurisë për komunitetin serb.
“Takim në Rashkë me liderët e Listës Serbe pas tentimit të Kurtit për t’i ndaluar nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale. Kemi diskutuar për situatën politike, të sigurisë dhe ekonomike në komunitetet serbe dhe për hapat e mëtejmë dhe mbështetjen për interesat e popullit serb në Kosovë”, ka shkruar ai.
Një ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk e certifikoi Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Me dy vota për, dy kundër dhe shtatë abstenime, certifikimi u refuzua, pasi paraprakisht anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ publikuan dokumente që tregojnë se kandidatë të Listës Serbe për kryetarë komunash apo asamblistë, mbajnë pozita në organet paralele të Serbisë në Kosovë. E të premten, kjo parti paralajmëroi ankesë në PZAP.
Vendimi i KQZ-së nxiti reagimin e bashkësisë ndërkombëtare. Shtetet e QUINT-it dhe Bashkimi Evropian në një reagim të përbashkët të premten e kanë cilësuar minim të parimeve të demokracisë pengimin e partive të komuniteteve pakicë nga pjesëmarrja në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.
Lista Serbe është partia kryesore e serbëve të Kosovës. Ajo mban lidhje të forta me Serbinë, ndërkaq zyrtarë të saj që zgjidhen në institucione të Kosovës në shumë raste kanë mbajtur edhe funksione në institucionet paralele të Serbisë, që funksionojnë ilegalisht në Kosovë.
Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, e mori përgjegjësinë për sulmin terrorist të organizuar në 2023-tën në Banjskë të Zveçanit, e në të cilin morën pjesë rreth 50 persona të armatosur. Pas sulmit, ai dha dorëheqje nga partia dhe ndodhet në Serbi.