Arbëri

UP-ja sqaron shifrat, thotë se nuk ka më pak aplikime sesa vende për studentët e rinj

Senati i UP-së

Në një reagim të shtunën në mbrëmje, Universiteti i Prishtinës ka thënë se shifrat që kanë qarkulluar për numrin e kandidatëve që kanë konkurruar për t’u pranuar për studime në këtë universitet, janë të gabuara.

Gjatë ditës, KOHA.net publikoi artikullin me titull: “UP-ja s’është më adresë për të rinjtë, për 5723 vende konkurruan 3398”. Artikulli përmbante deklaratën e prorektores për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në Universitetin e Prishtinës, Majlinda Gjelaj, që ka treguar për rënien në shifra, në një intervistë për Radio Kosovën. Në intervistën e publikuar online, e për të cilën KOHA ka cituar Radio Kosovën, prorektorja Gjelaj ka thënë se për 5723 vende në UP kanë konkurruar vetëm 3398 kandidatë. 

Megjithatë, Bekim Muhaxheri, këshilltar për komunikim me publikun i rektorit të Universitetit të Prishtinës ka thënë se shifrat janë të gabuara. 

Sipas reagimit, në nivel bachelor kanë konkurruar 6563 kandidatë për studentë e në nivelin master 2025 kandidatë.

“Universiteti i Prishtinës është universiteti më i madh, më i vjetër e më i suksesshëm i Kosovës dhe i rendituri më së larti nga të gjitha universitetet në gjuhën shqipe të të gjitha viseve ku jetojnë shqiptarët në Ballkanin Perëndimor dhe në botë”, ka thënë ai.


Përmbajtja e artikullit të publikuar gjatë ditës në KOHA.net

Në konkursin për studentë të rinj në Universitetin e Prishtinës, për 5 mijë e 723 vende, kanë kandiduar vetëm 3 mijë e 398 të rinj, ka konfirmuar prorektorja për Zhvillim Institucional, Cilësi dhe Çështje Studentore në Universitetin e Prishtinës, Majlinda Gjelaj. Ajo ka thënë se për këtë rënie të interesimit do të bëhen analiza për të parë se cilat janë nevojat për ndryshime dhe përshtatje të programeve me nevojat e tregut të punës.

Ajo ka thënë se rënia është kryesisht në profesionet më klasike. Trendi i rënies, sipas saj, është i ngjashëm me trendët tjerë në Evropë e në botë.

“Po vazhdojnë provimet pranuese në 14 njësitë akademike të UP-së. Interesimi është i ngjashëm me vitin e kaluar, ndërkaq në krahasim me vitet paraprake ka një rënie. Kemi bërë disa analiza dhe vërehet rënie e trendit në disa programe, ndërsa rritje të interesimit në programe të tjera për shkak të ndryshimeve shoqërore, teknike e teknologjike. Interesimi i të rinjve sot ka marrë hov nga ana e shkencave teknike - teknologjike, po ashtu edhe ato mjekësore. Kemi rënie në profesione të tjera më klasike, në krahasim me të kaluarën, siç ka qenë interesim i madh në Ekonomik, Juridik ose Edukim, ku ka pasur të interesuar me numër enorm të kandidatëve. Trendi i rënies është i ngjashëm me trendet e tjera në Evropë dhe në botë, ku rënia është sfiduese”, ka thënë ajo për Radion Kosova.

Gjelaj ka thënë se të rinjtë janë më shumë të interesuar për profesione që kualifikohen sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të dalin në tregun e punës sa më shpejt.

Programet më të kërkuara janë Inxhineria Kompjuterike dhe Mjekësia. Në të parën për 250 vende kanë aplikuar 500 kandidatë, e në Mjekësi 1 mijë për 200 vende.

Ndërkaq në degën e Fizikës, për 80 studentë kanë aplikuar vetëm 20 kandidatë, në Kimi, për 60 studentë kanë aplikuar vetëm 15 kandidatë, në Biologji, për 45 studentë, kanë aplikuar vetëm 36 kandidatë.

Ky është afati i parë për aplikim. Programet mund të plotësohen edhe në afatin e dytë.