Arbëri

Vandalizohet lapidari në Istog pak ditë para përvjetorit të masakrës

Vandalizohet lapidari në Saradran të Istogut pak ditë para përvjetorit të masakrës

Foto: KOHA

Lapidari i dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Saradran të Istogut është vandalizuar. Ai është përlyer me një ngjyrë të kuqe, ka njoftuar për KOHËN asamblisti i Kuvendit Komunal, Hajrush Shoshi.

Dëmtimi i lapidarit ka ndodhur pak ditë para përvjetorit të kësaj masakre.

Shoshi ka deklaruar se banorët e kanë vërejtur këtë në mëngjesin e së premtes (2 maj), duke shtuar se menjëherë janë njoftuar autoritetet policore.

“Po e kemi parë këtë ndodhi. Nuk e dimë se kush e ka bërë, por menjëherë janë lajmëruar organet hetuesisë. Ata po merren me këtë çështje...Në këtë lapidar kujtohen dëshmorë dhe martirë të luftës,” ka deklaruar ai.

Për rastin ka reaguar edhe kreu i Komunës së Istogut, Ilir Ferati.

“Dëmtimi i lapidarit kushtuar dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Saradran është një akt i rëndë dhe thellësisht i papranueshëm. Ky veprim i ulët përveç se një vandalizëm mbi një objekt përkujtimor, është një fyerje direkte ndaj historisë sonë, ndaj sakrificës sublime të bijve më të mirë të kësaj toke”, ka shkruar ai.

Ferati iu bëri thirrje qytetarëve të fshatin Saradran që të ruajnë qetësinë, “por mos të humbim vigjilencën dhe ndjeshmërinë ndaj këtyre akteve”.

Për masakrën në Saradran, autoritetet serbe kishin njoftuar banorët se duhej ta lëshonin vendin ose nga 25 marsi i 1999-s, komanda do të merrej nga forca të tjera të policisë së Serbisë dhe kontrolli do të kalonte në duart e atyre. Banorët vendosën të qëndronin në shtëpitë e tyre, derisa më 7 maj nisi sulmi mbi këtë zonë. Më 8 maj u përzunë, u vranë dhe u masakruan shumë banorë të Saradranit.