Arbëri

Vdiq Haki Dushi, një prej profesorëve të parë të Ekonomikut

Haki Dushi

Ka vdekur në moshën 95-vjeçare, Haki Dushi, një prej profesorëve të parë të Fakultetit Ekonomik në Kosovë.

Në respekt të jetës dhe veprës së tij, të shtunën, 17 janar, do të mbahet mbledhje komemorative në Fakultetin Ekonomik nga ora 09:30. Pastaj kortezhi niset për nëGjakovë, ku në Varrezat e Qytetit do të bëhet mbledhje komemorative dhe homazhe në orën 14:00 dhe varrimi në orën 15:00.

Kush ishte Haki Dushi:

Ekonomist, profesor universiteti.

U lind në Gjakovë, ku kreu një pjesë të shkollimit bazë, që më pas e vazhdoi edhe në Pejë, ndërsa studimet e larta për ekonomi i përfundoi në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Beogradit (1959).

Nga viti 1964 punoi mësimdhënës në Shkollën e Lartë Komerciale në Pejë, ku mbajti leksione në lëndën bazat e kontabilitetit, ndërsa nga viti 1969 të njëjtën lëndë e ligjëroi edhe në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës.

Tezën e magjistraturës e mbrojti në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Zagrebit, ndërsa në vitin 1978 mbrojti tezën e disertacionit në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës, po nga fusha e kontabilitetit.

Ka qenë dekan i Fakultetit Ekonomik për dy mandate, shef i katedrës për kontabilitet, matematikë dhe statistikë dhe ka mbajtur ligjërata edhe në disa universitete dhe kolegje private.

Ka botuar punime shkencore në revista të ndryshme profesionale.