Zyrtari i Qeverisë së Serbisë, Igor Popoviq, i cili është arrestuar në Kosovë pasi ka fyer UÇK-në, ka dalë para gjykatës të premten. Seanca dëgjimore ndaj tij ka përfunduar, ndërsa u bë e ditur se vendimi ndaj tij do të merret në orën 14:00.
Prokurorja Fikrije Krasniqi-Fejzullahu i ka propozuar gjykatës që t’i shqiptojë dënimin me gjashtë muaj burgim, por që t’i zëvendësohet me gjobe 3 mijë euro dhe dëbim të Igor Popoviqit nga Kosova për dy vjet.
Me propozimin e Prokurorisë janë pajtuar edhe avokatët e të akuzuarit.
Prokuroria Speciale e ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë për aprovimin e marrëveshjes për pranimin e fajësisë kundër Popoviqit.
Popoviq akuzohet se me dashje ka nxitur e përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike. Ndaj tij do të mbahet seanca e shqyrtimit fillestar. Më 5 gusht, Prokuroria Speciale ka njoftuar se me ndihmësdrejtorin e Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë ka arritur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Popoviq u arrestua më 19 korrik në pikën kufitare me Serbinë, Bërnjak, një ditë pasi mbajti fjalim në fshatin Hoçë të Madhe të Rahovecit, gjatë të cilit Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e quajti organizatë terroriste.