Autoritetet venezueliane kanë liruar nga burgu shtetas të Shqipërisë, Çekisë, Hungarisë, Holandës, Gjermanisë si dhe të vendeve të tjera. Lirimet janë pjesë e një vale të ndryshimit politik në Venezuelë, pas rrëzimit të presidentit Nicolas Maduro, i cili u arrestua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë ka konfirmuar të premten se shtetasi shqiptar Jozef Ndoci, i cili mbahej i burgosur në Venezuelë për më shumë se një vit, nga tetori i vitit 2024 deri në janar 2026, është liruar dhe ndodhet tashmë në gjendje të sigurt. Ai ishte i ndaluar në burgun e sigurisë së lartë El Rodeo, në shtetin Miranda.
Lirimi i tij u realizua pas një procesi të zhvilluar gjatë ditëve të fundit, në kuadër të lirimit të një numri të të burgosurve të huaj në Venezuelë. Ndoci aktualisht ndodhet nën kujdesin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq (ICRC) në Karakas.
MEPJ bën të ditur se çështja është ndjekur në mënyrë të vazhdueshme përmes Ambasadës së Shqipërisë në Brazil, në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe përfaqësi diplomatike mike, me fokus mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të shtetasit shqiptar.
Autoritetet shqiptare kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me familjarët e Jozef Ndocit dhe kanë theksuar se do të vijojnë të ofrojnë mbështetjen e nevojshme deri në kthimin e tij të sigurt në Shqipëri.
Raportohet se këta shtetas ishin arrestuar për komplot në vrasjen e Maduros.