Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Veteranët kërkojnë përgjegjësi për ekspozitën me pasaktësi për masakrat

protesta

Foto: Driton Paçarada

Në shenjë pakënaqësie për ekspozitën e cila pasqyroi të dhëna të pasakta për masakrat në Kosovë, veteranet e Ushtrisë Çlirimtarë të Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës.

Pasi nuk janë lejuar të hyjnë në oborrin e Kuvendit, ata janë futur me forcë përmes hyrjes kryesore.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Aty ishte një numër i konsiderueshëm i policëve.

Përfaqësuese i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari, ka thënë se ka dyshime se informacionet për ekspozitën janë marrë nga shërbimet sekrete serbe.

Ai ka thënë se do ta mbrojnë luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ne vlerësojmë veprimin e Komunës së Prishtinës që largoi këto eksponate për të cilat dyshojmë se informacionet janë marrë nga shërbimet sekrete serbe. Dyshimet tona janë se kanë bashkëpunuar me këto institucione të cilat përpjekjet i kanë për të barazuar luftën tonë me atë që ka bërë ushtria serbe në Kosovë”, ka thënë ai.

Veteranja e UÇK-së, Aida Derguti ka thënë se ani pse ka kaluar kohë që prej përfundimit të luftës, shpifjet nuk janë ndalur.

Sipas saj, si rezultat i këtyre shpifjeve u ndërtuan edhe procese gjyqësore, vendore dhe ndërkombëtare.

“Duke mos u mjaftuar me kaq, ishte poshtërimi që u ekspozua në shesh. Na u shfaq një falsifikim i qëllimshëm që minimalizon vuajtjet e popullit tonë”, ka thënë ajo.

Dërguti ka shtuar e nuk do të lejojnë që sot të poshtërohen e nëpërkëmbën viktimat e luftës.

Ajo ka thënë se autorët e këtij shtrembërimi mbajnë përgjegjësi direkte bashkë me akterët politikë që e mundësuan atë.

Në konferencën e së dielës nga ku është thirrur protesta, përfaqësuesit e OVL-UÇK-së kanë thënë se nuk do të lejojnë të përdhoset lufta dhe viktimat e saj.

Pesë ditë pas vendosjes, të shtunën në mëngjes janë larguar nga sheshi kryesor i Prishtinës tabelat me përmbajtje të pasakta për masakrat e ndodhura në Kosovë gjatë luftës, e që ishin pjesë e një ekspozite të financuar edhe nga Kuvendi i Kosovës.

Veprimi është ndërmarrë një ditë pasi Komuna e Prishtinës ka pezulluar lejen për ekspozitën, si pasojë e reagimeve të shumta publike lidhur me pasaktësitë e identifikuara në përmbajtje.

Pas kësaj, Departamenti për Hetimin e Krimeve të Luftës që funksionon në kuadër të Prokurorisë Speciale, ka njoftuar se ekspozita do t’i nënshtrohet vlerësimit për të përcaktuar nëse përmban elemente të përgjegjësisë penale.

Përfshirja e Prokurorisë në këtë rast është kërkuar që nga e premtja nga disa akterë institucionalë dhe shoqërorë.

Njëri prej atyre që bëri thirrje për aktivizimin e hetuesisë lidhur me deformimin e historisë është i mbijetuari i Masakrës së Dubravës, Enver Dugolli, i cili edhe i ka denoncuar fillimisht pasaktësitë në ekspozitë.

Në njërën nga tabelat e saj për Masakrën e Dubravës jepet numri i pasaktë i viktimave dhe për disa prej tyre thuhet se kanë qenë shqiptarë të armatosur.

Ekspozita shfaq të dhëna të gabuara edhe për masakra të tjera. Për Masakrën e Reçakut thuhet se janë vrarë 37 civilë teksa Instituti i Krimeve të Kryera gjatë Luftës në Kosovë përmend të paktën 45 civilë shqiptarë.

Të dhëna të pasakta pati edhe për Masakrën e Izbicës, që të shtunën e shënoi përvjetorin e 27-të. Bazuar në publikime të Institutit, në këtë masakër u vranë nga forcat serbe 147 civilë shqiptarë. E, në ekspozitë thuhet se ishin 115.

Po ashtu, janë ekspozuar pasaktësi edhe për masakrën e Krushës së Vogël dhe Krushës së Madhe.

E, Fondi për të Drejtën Humanitare (FDH), e ka përgënjeshtruar autorin e ekspozitës “Masakrat në Kosovë”, Shkëlzen Gashi, i cili tha se të dhënat e pasakta që u prezantuan në të janë të Fondit.

Në reagimin e kësaj organizate thuhet se përveç që autori ka publikuar pasaktësi, ai ka mungesë elementare të njohurive mbi të drejtën ndërkombëtare humanitare, faktet e vërtetuara në gjykatë dhe mënyrën e leximit të të dhënave nga Baza e Fondit për të Drejtën Humanitare.

Sipas Fondit, Gashi ka nxjerrë si përfundim se një viktimë e krimeve të luftës ka qenë e armatosur veç pse ka qenë më parë pjesëtar i UÇK-së, dhe nuk e ka kategorizuar si civil.

Foto: KOHA - Driton Paçarada