Arbëri

Veteranët kundërshtojnë Komisionin e ri për dhënien e banesave

Kryesia e Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së- Dega në Obiliq, nëpërmjet një proteste ka kundërshtuar rishpërndarjen e banesave për kategoritë e dala nga lufta. Sipas përfaqësuesve të tyre, zyrtarët komunalë një veterani ia kanë marrë banesën që Komisioni ia kishte dhënë në vitin 2019. E zyrtarët komunalë kanë thënë se ndarja e banesave nuk ka përfunduar ende

Dhënia e banesave për kategoritë e dala nga lufta është bërë mollë sherri mes shoqatave të UÇK-së dhe Komunës së Obiliqit. Kryesia e veteranëve të luftës në këtë komunë, të enjten, ka protestuar para objektit të administratës komunale. Ata po e kundërshtojnë largimin e një kolegu të tyre nga këto banesa, pasi, sipas tyre, Komisioni i vitit 2019 e kishte bërë përfitues.

Kryetari i veteranëve, Fehmi Mjekiqi, i cili ka qenë pjesë e atij komisioni, ka thënë se Komuna nuk i ka njoftuar nëse të njëjtin e ka anuluar. Ndërkohë, A.M., veteran, tashmë është në mbajtje për 48 orë, si shkak i reagimit të tij pas vendimit për ta larguar nga banesa.

“Protesta sot është simbolike, vetëm kryesia. Pakënaqësia jonë është për ndarjen e banesave. Në këtë rast e kemi edhe një veteran në paraburgim për 48 orë dhe kjo na ka shtyrë të shfaqim pakënaqësi. Ne si komision, komision i cili ka qenë më herët në 2019, e kemi bërë ndarjen e banesave me kryetarin e komisionit, nënkryetarin e Komunës së Obiliqit, Ibush Mjekiqi. Edhe ky djalë që sot është në paraburgim është përfitues i banesës në komisionin e parë”, ka thënë Mjekiqi.

Ai thotë të mos jetë njoftuar nga askush nëse puna e këtij komisioni është anuluar.

“Kryetari i komunës me stafin e vet ka veprua me një komision add hock veç qysh ka mundur t’i gjejë njerëzit herë një muaj, herë gashtë muaj, veç komision ne nuk dimë që ka. Komuna ndoshta ka komision, po nuk jemi njoftuar çfarë komisioni ka. Edhe kjo është arsye që kemi dalë për t’i shfaqur pakënaqësitë tona ndaj Komunës”, ka theksuar Mjekiqi.

Ndërsa, anëtari i Komisionit, Naim Miftari, i cili është edhe drejtor i Inspektoratit, e ka mohuar se ka përfunduar procesi i dhënies së këtyre banesave. Sipas tij, objektet që fillimisht kanë qenë të dedikuara për banorët e zhvendosur të Hades, pas vendimit të Qeverisë, është vendosur që 50 për qind e tyre të jepen për raste sociale dhe pjesa tjetër për kategoritë e dala nga lufta.

“Fillimisht ai kompleks banesor ka qenë i destinuar për banorët e zhvendosur të fshatit Hade. Me vendimin e Qeverisë i është ndërruar destinimi i atyre banesave, ku 50 për qind të atyre njësive banesore janë ndarë për kategoritë e dala nga lufta, ndërsa 50-përqindëshi tjetër është për raste sociale. Sa i përket kategorisë së rasteve sociale është bërë shpërndarja e të gjitha banesave. Ndërsa, te 50-përqindëshi tjetër i destinimit të atyre banesave është në procedurë. Disa veç janë përfunduar, mirëpo komisioni ende nuk e ka përfunduar punën në tërësi. Po flas për komisionin e fundit që është duke punuar”, është shprehur Miftari. “Po përderisa është themeluar komisioni i ri për ndarje të banesave, domethënë që ai komision nuk e ka kryer punën e vet edhe ky komision është duke vazhduar në misionin e tij në shpërndarjen e banesave. Në momentin që përfundon puna e këtij komisioni, atëherë do të dilet edhe me një raport të detajuar se kush janë përfituesit e atyre kategorive të njësive banesore”.

Naim Miftari nuk ka dashur të flasë rreth punës së komisionit të mëhershëm.

Por, në raportin e Policisë së Kosovës thuhet se është arrestuar i dyshuari, pasi që ka penguar punëtorët që ishin duke rinovuar banesën e viktimës femër kosovare. Bazuar në këtë, i bie se dikush tjetër është bërë shfrytëzues i kësaj banese.

Përfaqësuesit e veteranëve kanë thënë se veteranin, të cilin e ka arrestuar Policia, zyrtarët komunalë kishin kërkuar nga ai që ta ndërrojë banesat e tij me një person tjetër, por, sipas tyre, ai nuk kishte pranuar.

“Munden të bëjnë komisione krye në vete sa të donë, por ata veteranë që e kanë marrë me vendimin e parë, me kryetarin e komisionit, që ka qenë nënkryetar i Komunës së Obiliqit, ata do të jenë përfitues dhe asnjë nuk do të lejojmë me atë çka kemi mundësi të bëjmë, nuk do të lejojmë”, ka theksuar Fehmi Mjekiqi.

Mjekiqi ka paralajmëruar edhe protesta të tjera lidhur me këtë rast.