Ndërtimi i kësaj fushe sportive në fshatin Budakovë të Suharekës, ka bërë që dega e Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet të paraqesë rast në Polici.
Hapësira e cila është e mbuluar me gjelbërim, ishte paraparë të mbulohej me beton dhe kjo ishte evidentuar edhe në Raportin e Auditorit, raporton KTV.
Edhe pse banorët e kanë kërkuar me anë të peticionit ndërrimin, Lëvizja Vetëvendosje këtë po e konsideron si shkelje ligjore.
Për këtë, organet e hetuesisë kanë ftuar kryetarin e degës, Salih Zyba, si iniciues i rastit për të paraqitur argumentet e tij.
Por, deputeti është skeptik se do ndërmerret diçka nga organet e drejtësisë.
Ndërkaq, kryetari i Komunës, Bali Muharremaj, ka thënë se ky ndërrim është bërë me kërkesë të qytetarëve dhe se ai është i gatshëm të përgjigjet për këtë para organeve të drejtësisë.
Kohavisioni ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga Policia, por ajo nuk ka qenë e qasshme gjatë ditës.
Vetëvendosje, edhe më herët ka bërë kallëzime penale në Prokurori, për dyshimin se zyrtarët komunalë kanë keqpërdorur pozitën zyrtare.