Arbëri

Vetëvendosje: Rruga “Xhemajl Mustafa” në Fushë-Kosovë nuk u përfundua sipas kontratës

Zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë po konsiderojnë se ndërtimi dhe asfaltimi i rrugës “Xhemajl Mustafa” në këtë qytet nuk është përfunduar sipas kontratës.

Shefi i Grupit të këshilltarëve të kësaj partie, Durim Hajra, thotë se janë një varg çështjesh që nuk janë kryer në këtë rrugë, edhe pse zyrtarisht projekti ka përfunduar. Sipas tij, ky projekt që nga fillimi ka pasur probleme dhe pakënaqësi nga qytetarët, qoftë me zbatimin e punimeve, por edhe me vonesën e kryerjes së tyre.

“Ne, kemi dalë në terren dhe kemi parë se në këtë rrugë nuk janë kryer të gjitha punimet edhe pse ky projekt ka përfunduar para disa muajve. Nëse shohim tek paramasat dhe parallogaritë, më saktësisht tek pika 3, punët e mbistrukturës, vërejmë se janë paraparë të vendosen 250 shtylla antipark, të ngjyrosen me ngjyrë hiri dhe të mbështillen me foli fosforike, të mbillen 26 fidane të blirit dhe të rregullohen përreth me kubëza në formë katrore dhe vendosja e 4 skajoreve për çdo fidan, të vendosen listela druru që do t’i mbronin nga dëmtimi si dhe ujitja dhe mirëmbajtja e tyre deri në nxënje, të mbillen edhe 100 pisha të bardhe, 30 kutia të mbeturinave (shporta) 450*450*800mm si dhe vendosja e 50 vazove të betonit 85*43*55cm”, ka theksuar Durim Hajra.

Por, sipas tij, në terren të gjitha këto mungojnë. Shefi i Gk të VV-së, thotë se Pika 4 përfshin sinjalizimin horizontal dhe vertikal dhe aty është paraparë që: 1. shenjëzimi horizontal prej 400m (vendkalimet për këmbësorë) do të duhej të ishin me masë plastike dykomponentesh me grimca flurscente, me ngjyrë të bardhë dhe të kuqe, ndërsa janë shenjëzuar vetëm me ngyrë të bardhë të thjeshtë.

“2. Vija e plotë e shiritave të qarkullimit me paramasa është me masë plastike dy komponentesh me grimca të rërës dhe qelqit (me paravijëzim) në mes dhe anash rrugës, ndërsa nuk është shënjeuar fare në teren. 3. Në paramasa është paraparë që në 10 vende të shënjohet edhe vija ndalëse (Stop), ndërsa në teren nuk janë fare. 4. Shtigjet orientuese të qarkullimit nuk janë vendosur fare”, ka treguar Hajra. “5. Tabelat e informimit nuk janë vendosur fare, në paramasa janë paraparë 10. 6. Nuk janë vendosur as shenjëzimi vertikal, të parapara në paramasa jane 6 shenja trekëndore, 6 shenja rrethore dhe 6 shenja drejtkëndësh. Pra, projekti ka përfunduar, pagesa është kryer edhe pse mungojnë shumë elemente të cilat mund edhe të shihen me sy”.

Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Fushë-Kosovë thotë se është bërë pothuajse normale nga kjo qeverisje që pas përfundimit të projekteve kapitale edhe nëse ka mangësi ose projekti nuk është zbatuar siç duhet, të mos merren masa.

“Ne në vazhdimësi ju kemi tërhequr vërejtjen që punët nuk po mbikqyren dhe si rezultat i kësaj projektet nuk po zbatohen sipas paramasave dhe sipas kontratës, mirëpo kjo nuk iu ka bërë përshtypje asnjëherë. Ne konsiderojmë që kjo qeverisje me këtë sjellje edhe me këtë formë të shpenzimit të parasë publike janë duke bërë keqpërdorime çdo ditë dhe dikush duhet të japë llogari për gjithë këtë dëm që po i bëhet buxhetit të komunës dhe qytetarëve në përgjithësi”, ka thënë ai.

KOHA ka kërkuar përgjigje edhe nga zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës, por të njëjtit gjatë ditës së premte nuk janë përgjigjur.