Ministri i Shëndetësisë i Kosovës, Arben Vitia, ka treguar se nga spitali në Slavonski Brod të Kroacisë janë liruar 28 bashkatdhetarë që kishin marrë lëndime gjatë aksidentit me autobus të dielën, ku humbën jetën dhjetë persona.
Ai ka thënë se 15 tjerë vazhdojnë të marrin trajtim në Slavonski Brod e një nga ta është transferuar në klinikë në Zagreb.
“15 bashkatdhetarë tanë që po trajtohen në spital në Slavonski Brod janë në gjendje stabile, përveç dy personave që gjenden në njësi intensive. Njëri është akoma në gjendje të rëndë, tjetri në gjendje stabile jashtë rrezikut për jetë. Nga të liruarit, 4 nga bashkatdhetarët kanë vendosur të shkojnë në Gjermani për trajtim të mëtutjeshëm, në koordinim të plotë me ambasadën tonë në Kroaci dhe Kryqin e Kuq kroat. Gjashtë pritet të lirohen në ditët në vijim, deri të enjten ose të premten. E nëntë do të vazhdojnë të marrin ndihmën mjekësore, derisa të rehabilitohen, e më pas do të shohim nëse duan të vazhdojnë tretmanin në Kosovë apo Gjermani”, ka thënë Vitia në konferencë për media.
Vitia ka thënë se shumica e të lënduarve kanë politrauma, thyerje të gjymtyrëve apo të brinjëve në disa raste.
Ai ka falënderuar autoritetet kroate për ndihmën e ofruar. Ka thënë se angazhimi i autoriteteve kroate ka qenë maksimal.
Ministri Vitia ka treguar se nga bashkatdhetarët që janë kthyer në Kosovë, njëri ka shfaqur disa shqetësime, e ekipi mjekësor e priti në aeroport dhe është dërguar në emergjencë në QKUK.
Ministri Vitia ka thënë se është fat në fatkeqësi që aksidenti ndodhi në afërsi të stacionit policor në Slavonski Brod.
“Është fat në fatkeqësi, aksidenti ka ndodh pak metra larg stacionit policor në Slavonski Brod. Reagimi i Policisë e mbërritja e ekipeve të para të Policisë e zjarrfikësve në vendin e ngjarjes ka qenë më pak se 3-4 minuta. Në anën tjetër ekipet emergjente kanë reaguar jashtëzakonisht shpejt dhe fal këtij reagimi secili person i cili ka qenë gjallë në kohën kur kanë mbërritur ekipet emergjente në vendin e ngjarjes ka shpëtuar. Të gjithë personat që kanë humbur jetën, vdekja është konstatuar menjëherë në vend të ngjarjes, pak minuta pasi kanë arritur ekipet emergjente. Natyrisht ky është reflektim për ne, edhe për shoqërinë, e Qeverinë e Kosovës, që të ketë investime edhe trajnime edhe përkushtim më të madh për sektorin e Shëndetësisë, që për momentin tek ne akoma nuk është në gjendje që do të dëshironim. Natyrisht se do të jetë përkushtimi i vazhdueshëm për të përmirësuar këtë sistem”, tha Vitia.