Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Pas raportimit të KOHËS, Vitia e kuptoi se nuk funksionon hidroterapia që e përuroi vetë 3 vjet më parë

Arben Vitia

Foto: Driton Paçarada

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, në një konferencë për media të mbajtur pas mbledhjes së Qeverisë, është përgjigjur për mosfunksionalizimin e dy pishinave të destinuara për hidroterapi në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe të Rehabilitimit, për të cilin ka raportuar KOHA.

Vitia deklaroi se pas publikimit të kësaj storie, tri vjet pasi pishinat i pati përuruar bashkë me kryeministrin Albin Kurti, ka kërkuar përgjegjësi për mosfunksionalizimin e tyre. Vitia potencoi se i është thënë në arsyetim që ka qenë një problem me gypat.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ministri Vitia deklaroi po ashtu se po e pret që t'i vijë raporti, për parë nëse ka të bëjë me neglizhencë apo arsye të tjera.

“Me kryeministrin Kurti kemi shkuar për përurimin e Klinikës së Fiziatrisë dhe i kemi parë të gjitha ambientet ku pacientët në fazën e rehabilitimit do të marrin edhe këtë terapi, pra të hidroterapisë. Në mes të tjerash aty ka qenë edhe bazeni i cili, po, në ditën kur kam shkuar ka qenë i mbushur me ujë. Pas publikimit në media të kësaj storie kam kërkuar përgjegjësi dhe përgjigja e tyre ka qenë që është mbushur atë ditë vetëm për t’u testuar mirëpo kanë parë një problem sa i përket disa gypave për pastrim të cilët pastaj ose nga neglizhenca ose nga arsye të tjera që i pres nga raporti që do të vijë, nuk ka filluar edhe pjesa e hidroterapisë. Shërbimet e tjera në këtë klinikë merren të gjitha në kushte shumë më të mira me pajisje shumë më të mira sesa që kanë qenë në bodrumet e Klinikës së Kirurgjisë për dy dekada e më shumë”, ka thënë Vitia.

Dy pishina të destinuara për hidroterapi në Klinikën e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit nuk janë funksionale që prej tre vjetësh kur u përuruan. Në ditën e inaugurimit ato u mbushën me ujë. Megjithëkëtë, kurrë nuk u vunë në funksion të pacientëve që kanë nevojë për rehabilitim.

Për pasojë, nuk mund të ofrohet as shërbimi i hidroterapisë për pacientët, i cili është trajtim mjekësor që përdor ujin për shërim dhe rehabilitim.