Arbëri

Vitia, për të katërtën herë ministër, ani se s’iu dha zgjidhje pritjeve të pacientëve

Arben Vitia

Foto: Driton Paçarada

Pavarësisht problemeve të vazhdueshme në sistemin shëndetësor, mungesës së barnave dhe pritjeve të gjata për trajtime gjatë katër vjetëve të fundit, Arben Vitia është rizgjedhur për ta udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë edhe për një mandat. Në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, në pritje janë mbi 14 mijë pacientë për të marrë shërbime

Moszgjidhja e problemeve në shëndetësi nuk është përcjellë me ndërrimin e personit përgjegjës për këtë sektor.

Për herë të katërt, Arben Vitia është rizgjedhur për ta udhëhequr Ministrinë e Shëndetësisë.

Gjatë mandatit të fundit katërvjeçar, pacientët janë përballur me pasiguri të vazhdueshme në trajtim, mungesë barnash dhe, në disa raste, edhe ndërprerje të shërbimeve në spitale publike.

Për herë të parë, vitin e kaluar në mungesë materiali për hemodializë, pacientëve iu përgjysmuan seancat nga katër në dy orë.

Disa nga këto ankesa pacientët i shprehën edhe gjatë së mërkurës.

Një pacient që është operuar muaj më parë tregon për vështirësitë me të cilat po përballet pas ndërhyrjes.

“Kam pasë gjakderdhje gjatë tërë javës gati... Edhe do gypa i kam në pjesën urinare. Ata më kanë lëvizë edhe po kam gjakderdhje. Kam shku në Urologji. Thanë: shko në Ambulancë Specialistike. Erdha në Ambulancë Specialistike. Thanë: Duhet me shku te mjeku yt që të ka operu. Ai në spital. Aty po thonë: Veç shko në Ambulancë Specialistike, ja shko në Ferizaj. Kurrkund hiç. Tash jam mbetë kështu, hiç”, tha ka thënë pacienti Avdyl Isufaj. “Po kam gjakderdhje se nuk e kisha pas gajle. Që tre-katër herë kam marrë gjak”.

Ky pacient tregon se gjatë trajtimit është detyruar që një pjesë të barnave t’i blejë vetë.

“Infuzione po, i kemi ble infuzionet. Do... se unë jam kanë edhe në Onkologji këtu, aty i kemi ble do, 100 euro dy shishe. Nja katër pesë herë po”, ka thënë isufaj.

Të mllefosur me shërbimet në QKUK janë shprehur edhe disa pacientë që të mërkurën ishin në Ambulancat Specialistike.

“Qetu në daltë naj kush pa problem. Veç një, dije”, ka thënë një nga ta i mllefosur.

“Pritje? Mos ta qoftë sorra ashtin këtu”, ka thënë një tjetër.

Gjatë çdo viti, pacientët blenë ilaçe të listës esenciale nisur nga ato më baziket e deri tek ilaçet e shtrenjta për kancer.

Gjatë qeverisjes së ministrit Arben Vitia nuk u zvogëlua as lista e pritjes për shërbime shëndetësore.

Në QKUK dhe spitalet e përgjithshme, në pritje janë mbi 14 mijë pacientë. Në disa nga klinikat ka pacientë që presin që nga viti 2020.

Por gjatë prezantimit të ekspozesë, kryeministri Albin Kurti premtoi kontrolle mjekësore për të gjithë dhe decentralizim të shërbimeve.

“Prej këtij viti fillon plani për kontrollin dhe mbikëqyrjen shëndetësore për çdo qytetar. Brenda vitit, secili e secila do të ketë një kontroll të plotë mjekësor. Sistemi, i njohur si check-up, do të parandalojë, të ndihmojë dhe të mbështesë çdo rrezik që vjen nga problemet shëndetësore. Në mandatin e ri do të decentralizojmë në tërësi shërbimet shëndetësore. Do të ndërtojmë spitalin e ri në Mitrovicë dhe në Ferizaj”, ka thënë Kurti.

Ai premtoi edhe spital të ri në Ferizaj, ndonëse objekti ekzistues i tij ka mbetur me mure të vrazhda dhe nuk arriti të finalizohej as në mandatin e kaluar.

Se çka do të ndryshojë në katër vjetët e ardhshëm në sektorin e shëndetësisë dhe pse premtimet e dhëna në mandatin e kaluar nuk u përmbushën, KOHA kërkoi prononcim nga ministri Vitia, mirëpo ai gjatë ditës nuk ishte i qasshëm.

Ministria e Shëndetësisë nuk reagoi as kur SHSKUK-ja mbeti pa mbikëqyrje për tre muaj nga bordi drejtues në periudhën kur institucioni po përballej me mungesa të shumta të produkteve dhe kur u ngritën dyshime për kurdisje të tenderëve.

As në Qeveri nuk u përgjigjën në pyetjet lidhur me rezultatet konkrete të ministrit Vitia.