Arbëri

Votuesit jashtë vendit për zgjedhjet e 21 prillit në komunat veriore mund të regjistrohen deri më 3 prill

KQZ

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar për fillimin e periudhës për aplikim për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës për procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve në katër komunat veriore më 21 prill.

Gjatë kësaj periudhe që do të përfundojë më 3 prill, shtetasit e Kosovës me të drejtë vote që jetojnë jashtë vendit, mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, duke dërguar kërkesë në platformën elektronike të publikuar nga KQZ-ja ose përmes postës.

“Mund të aplikojnë për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës duke dërguar kërkesën e tyre përmes: Platformës elektronike e cila është e vendosur në ueb faqen e KQZ-së www.kqz- ks.org: Regjistrohu për votim jashtë Kosovës për procesin e votimit më 21 prill 2024 (https://eomp.kqz-ks.org/sq/abroadvoter), duke ndjekur të gjithë hapat njëri pas tjetrit, ose Postës”, thuhet në njoftimin e këtij institucioni. 

Të gjitha detajet për periudhën e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së.

Në rast të refuzimit të aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, KQZ ka themeluar Komisionin për Kundërshtimin Administrativ, ku mund të parashtrohet kundërshtimi kundër njoftimit të KQZ-së.