Kronikë

Personi që goditi babanë e tij në qafë dyshohet të ketë probleme mendore

Aksident-Vrasje-Policia

Foto: Driton Paçarada

Në orët e para të së premtes, Policia ka arritur ta kapë 25-vjeçarin nga Isniqi i Deçanit, i cili sulmoi më sëpatë babanë e tij. Personi që dyshohet se vuan nga probleme të shëndetit mendor, edhe më herët është raportuar në Polici për dhunë në familje

Një burrë nga Isniqi i Deçanit u sulmua me sëpatë nga djali i tij 25-vjeçar, i cili dyshohet se e goditi disa herë prapa në qafë.

Ai pësoi lëndime edhe në duar, teksa tentoi të mbrohej duke i vendosur mbi kokë.

Sipas burimeve të KOHËS, i riu me inicialet K. M. ka probleme të shëndetit mendor dhe më herët është raportuar në Polici për dhunë në familje.

Pas kryerjes së veprës, i dyshuari ishte larguar nga shtëpia. Ai u arrestua të premten në orët e para të mëngjesit nën dyshimin për veprën penale “vrasje në tentativë”.

“Pas një pune intensive të hetuesve të Sektorit Rajonal për Hetime DRP-Pejë dhe hetuesve të Stacionit Policor në Deçan, sot me datë 6.2.2026, rreth orës 02:30, i dyshuari është arrestuar. Pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është dërguar në mbajtje për 48 orë”, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Pasi është qëlluar me sëpatë në qafë, viktima me inicialet A. M., është përcjellë për trajtim mjekësor. Në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës thanë se gjendja e tij shëndetësore është e mirë, dhe është liruar për në shtëpi.

“Pacienti për të cilin keni kërkuar informacion ka pranuar kujdesin e nevojshëm shëndetësor gjatë ditës së djeshme në Shërbimin e Emergjencës dhe, pas trajtimit, është liruar”, ka njoftuar Spitali i Përgjithshëm i Pejës.

Policia ka bërë të ditur se për ngjarjen është njoftuar nga Qendra e Mjekësisë Familjare në Deçan, ku burri nga Isniqi ka shkuar për trajtim të enjten pasdite. E zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit. 

“Masa e paraburgimit do të mbahet fillimisht në Repartin e Psikiatrisë në Pejë, për aq kohë sa vlerësohet i nevojshëm trajtimi shëndetësor, ndërsa pas përfundimit të tij i pandehuri do të dërgohet në Qendrën e Paraburgimit”, thuhet në njoftim.