Derisa presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka kërkuar mobilizim të diplomacisë serbe për të pamundësuar njohje të reja të Kosovës, qasje kjo në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, kryeministri në detyrë Kurti ka thënë se ujditë e deritashme duhet të çojnë drejt njohjes reciproke. Mesazhe janë dhënë edhe për atë se kush paraqet kërcënim për konflikte të reja në Ballkan
Luftë të vërtetë në kundërshtim të fuqizimit të subjektiviteti ndërkombëtar të Kosovës u ka kërkuar presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, diplomatëve të akredituar që ka nëpër botë shteti që ai drejton.
Vuçiqi në konferencën vjetore që pati me ambasadorët e Serbisë dramatizoi me njohjet e fundit që i erdhën Kosovës, tek fajësoi edhe shtete të tjera se lobuan pro shtetit që deklaroi pavarësinë më 17 shkurt 2008. Ai tha se përfaqësuesit e Serbisë në vendet e tjera nuk mund ta ndryshojnë faktin se Kosova është pjesë e Serbisë dhe se kjo as që mund të vihet në diskutim.
“Pozita e ambasadorit dhe pozita e kreut të zyrës përfaqësuese serbe nuk mund të jetë çështje komoditeti dhe konformiteti i dikujt, por duhet të jetë çështje e luftës së vazhdueshme të dikujt në nivel të përditshëm për interesat e Republikës së Serbisë. Me këtë dua të them, një luftë të vërtetë dhe të sinqertë dhe jo ta keni kënaqësinë e vendit pritës”, ka theksuar Vuçiqi.
Kjo qasje është në kundërshtim me Marrëveshjet e Brukselit, të cilat i kërkojnë Serbisë ta ndalë fushatën kundër Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, është kundër frymës së Aktit të Mbrojtjes së SHBA-së i nënshkruar së fundi nga presidenti Donald Trump, ku palëve u kërkon angazhim konstruktiv në zbatimin e ujdive të Brukselit.
Megjithëkëtë, Vuçiq ka porositur ambasadorët serbë që vendeve që e njohën Kosovën duhet t’u thuhet: “Kosova është pjesë e Serbisë, kështu ka qenë, kështu do të jetë”.
“As ju dhe as ata nuk do ta ndryshoni këtë, prandaj ju lutem mos diskutoni për këtë, përndryshe nuk e keni përfaqësuar politikën tonë”, ka porositur Vuçiq.
Bahamas është bërë javën e shkuar shteti i katërt brenda vitit që e ka njohur Kosovën, pas Sirisë, Sudanit dhe Kenias. Me njohjen e fundit bëhen gjithsej 121 shtete që e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran.
Vuçiqi i komentoi edhe njohjet e këtij viti nga Sudani dhe Siria. Sipas tij, ka filluar një valë e re njohjesh të Kosovës nga faktorë rajonalë dhe botërorë, tek shtoi se ndikimi i Turqisë dhe Arabisë Saudite është i qartë për Sudanin dhe Sirinë.
“Po flasim për pretendimet e të tjerëve jo vetëm në territorin tonë, por edhe në të gjithë hapësirën rajonale, dhe duhet të jemi plotësisht të qartë dhe pa ekuivokë për këtë”, u shpreh Vuçiq.
E kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se me Serbinë normalizimi i marrëdhënieve nënkupton vetëm njohje të ndërsjellë. Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, Kurti ka deklaruar se Kosova dhe Serbia duhet t’i “normalizojnë” marrëdhëniet duke i zbatuar marrëveshjet e Brukselit. Megjithatë, ai tha se ky proces është i vështirë.
“Ne duhet t’i normalizojmë raportet me Serbinë. Por, normalizimi i raporteve me një fqinj që ka regjim autoritar dhe që nuk të njeh, dhe po ashtu nuk i pranon krimet e kryera gjatë luftës, është shumë i vështirë. Ne kemi një marrëveshje për normalizim. Ne duhet ta zbatojmë, që nënkupton njohje të ndërsjellë mes shteteve, të paktën njohje de facto”, ka thënë Kurti.
Edhe Vuçiq ka folur për “normalizim”, por ka paralajmëruar për disa çështje që, siç tha, i ka në “kasafortë” e të cilat do t’i bëjë të ditura publikisht.
“Kemi disa gjëra në kasafortën tonë. Është çështje kohe se kur do t’i tregojmë dhe do t’ia bëjmë të ditura publikut, dhe kemi qenë të kujdesshëm që të mos i zbulojmë, në mënyrë që të mos i lëndojmë të mëdhenjtë, sepse ata kanë mundësinë të ushtrojnë presion mbi ta (Kosovën). Nuk ka më arsye për këtë, jemi të shtyrë pas murit dhe do të luftojmë për atë që është e jona”, ka theksuar ai.
Ai ka folur sërish për aleancën ushtarake mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke iu referuar mundësisë së vazhdimit të konflikteve në rajon.
“Ndërsa bën sikur nuk ka ndodhur asgjë, papritmas ke takime midis Tiranës, Prishtinës dhe Zagrebit”, tha ai, duke iu referuar mundësisë së vazhdimit të konflikteve në Evropë pas përfundimit të luftës Rusi-Ukrainë.
Por Kurti tha se është Serbia ajo që ka tendenca destabilizuese në rajon.
“Serbia po ashtu nuk ka ndërprerë raportet me Rusinë, pavarësisht luftës në Ukrainë, dhe Beogradi varet nga energjia ruse”, ka thënë Kurti. “Ka shumë lidhje mes dy shteteve dhe nëse Rusia vendos ta destabilizojë rajonin, në marshin e saj drejt Evropës Perëndimore, mund të llogarisë në Serbinë si aleat. Dhe, kjo është shqetësuese për shtetin tonë. Por, ne po punojmë me partnerët tanë për të parandaluar një gjë të tillë”.
Serbia më herët i ishte drejtuar edhe me një letër Brukselit, përmes së cilës deklarohet se nuk e zbaton pjesën e marrëveshjes që u referohet anëtarësimeve të Kosovës.
Pavarësisht letrës së Serbisë, përfaqësuesja e lartë e BE-së, Kaja Kallas, pati thënë se Marrëveshja është fakt dhe duhet të zbatohet.
Dialogu Kosovë Serbi ka nisur në 2011-n mbështetur në një rezolutë të OKB-së, duke e mandatuar BE-në si lehtësues të procesit. Por pavarësisht disa marrëveshjeve deri tash ka munguar zbatimi i tyre.
Presidenti amerikan, Donald Trump, ka nënshkruar Ligjin për politikën e mbrojtjes prej gati 1 trilion dollarësh, në të cilin një seksion i veçantë u kushtohet marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Në të theksohet se normalizimi duhet të arrihet me njohje të ndërsjellë dhe shprehet qëndrimi kundër çfarëdo ndryshimi kufijsh në Ballkanin Perëndimor.