Arbëri

VV-ja konsideron se është bërë pabarazi në lirimin e bizneseve nga taksa në Fushë-Kosovë

Pabarazi po e quajnë zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje futjen në një listë të bizneseve të vogla me bankat për lirimin nga taksa në Komunën e Fushë-Kosovës. Këshilltarja Doruntina Jashari, ka thënë se kanë qenë pro një vendimi që do të përfshinte bizneset e vogla, ato prodhuese dhe bizneset që janë në pronësi të grave, por jo edhe ashtu siç e kanë sjellë komunarët e Fushë-Kosovës.

“Sa i përket kësaj pike të rendit të ditës, Lëvizja Vetëvendosje vazhdimisht ka insistuar që para një vendimi të tillë të bëhet një kategorizim se cilat biznese të lirohen nga taksat, duke ndihmuar kështu bizneset më në nevojë siç janë bizneset e vogla, bizneset prodhuese, bizneset në pronësi të grave e kategori tjera tek të cilat do të vërehej rezultati. Ne jemi kundër që në një vendim të përfshihen edhe bizneset e vogla, edhe veprimtaritë financiare siç janë bankat, sepse kjo shkakton pabarazi”, ka thënë këshilltarja e VV-së.

Ndërkohë, drejtori për Zhvillim Ekonomik, Ekrem Berjani, i ka thënë KOHË-s se nuk kanë dashur të bëjnë klasifikime të tilla, por kanë marrë vendim që t’i përfshijnë të gjitha bizneset, përfshirë edhe ndërmarrjet publike si Infrakosi që vepron në territorin e kësaj komune.

“Ky propozim është i përgatitur prej një ekipi të komunës që e kanë vlerësuar se duhet të shkohet me një propozim që të lirohen të gjitha bizneset në nivel komuanl, pa klasifikime. Edhe institucionet bankare janë përkrahse të zhvillimit të vet bizneseve. Edhe ato e kanë një kontribut, njëfarë rrisku të vështirësvie, e shumë ballafqimeve që janë bërë. Kështu që na nuk kemi dashtë as me provua që me i klasifikua, ose mos me e marrë parasysh edhe punën e tyre”, ka theksuar Ekrem Berjani. “Edhe bankat e kanë rëndësinë e vet në zhvillimin e Kosovës, të bizneseve, edhe të familjeve. Kështu që na e kemi çelë si rrugë që të gjitha bizneset me i lirua. Tash aty mund të ketë edhe kërkesa tjera, por ky vlerësim që është bërë është më i gjerë i Kuvendit Komunal që të lirohen të gjitha bizneset, kështu ka qenë edhe vitin e kaluar”, ka thënë ai.

Sipas drejtorit për Zhvillim Ekonomik, në Fushë-Kosovë janë 1290 biznese aktive dhe që të gjitha janë liruar nga taksat. Ekrem Berjani thotë se sipas Rregullores për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale shuma më e ulët e taksës është 30 euro, ndërsa ajo më e larta 3000 euro.

“Këtu kanë pasur kritere të ndryshme: biznes individual, mikro-biznes, një dyqan tregtar, në bazë të kategorive kanë qenë të ndara. Edhe taksa nuk është e njëjtë, p.sh. një vetëshërbim në Fushë-Kosovë i ka pasur diku 190 euro taksë për pagesë, ndërsa një dyqan tregtar në një fshat i ka pasur p.sh. 90 euro. Janë liruar edhe pompat e benzinës, edhe veprimtaritë financiare, edhe sektori pubkik që janë Infrakosi, etj”, ka thënë ai.

Drejtori Berjani thotë se në total për një vit shuma e kësaj takse është 130 mijë euro. Por, sipas tij, zakonisht kanë arritur t’i inkasojnë nga 35-40 për qind të tyre. Të tjerat janë bartur si borxhe. Por, ai thotë se ky është viti i katër që i lirojnë bizneset nga kjo taksë.

“Këtë vit jemi duke menduar ta përgatisim një rregullore të re që bizneset të lirohen që mos me u marrë çdo vit me vendim të Kuvendit, por me pas me rregullore. Sekrori privat është i mirë për neve, për shtetin dhe ne jemi munduar ta trajtojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, ka thënë Ekrem Berjani.

Në propozimin e Drejtorisë për Zhvillim Ekonomik i cili është miratuar në seancën e fundit të Kuvendit Komunal thuhet se përmes tij synojnë të krijojnë lehtësira për bizneset ekzistuese dhe avantazhe për bizneset e reja.

“Prioritet i qeverisjes lokale është partneriteti me sektorin privat me qëllim të krijimit të kushteve të përshtatshme për zhvillimin ekonomik lokal, me impakt në zvogëlimin e barrierave të të bërit biznes. Sipas shënimeve me të cilat disponon komuna numri i bizneseve është 1290. Ekonomia lokale në Fushë-Kosovë është e donimuar nga bizneset individuale, mikro-bizneset dhe bizneset e vogla të cilat janë goditur nga situata pandemike si pasojë e kufizimeve dhe rekomandimeve të institucioneve kompetente”, thuhet në këtë vendim tashmë të miratuar.