Shkuarja në zgjedhje është përmendur si zgjidhje e ngërçit nga partia fituese e zgjedhjeve. Por kjo ide nga kundërshtarët e saj u vlerësua si shantazh politik. E dështimi i konstituimit të Kuvendit, sipas shoqërisë civile, rrezikon të bllokojë funksionimin e një sërë institucionesh të pavarura.
Shkuarja në zgjedhje, si zgjidhje për ngërçin politik, është përmendur sërish nga Lëvizja Vetëvendosje. Deputetja e listës së VV-së, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ka mungesë të vullnetit nga opozita e deritanishme për ndryshim të situatës aktuale.
“Tani ose mund gjykata të sqarojë aktgjykimin e vet, të vijë me instruksione, me shpjegime shtesë, apo mund partitë mes vete të dakordohen të konstituojnë Kuvendin vetëm sa për të shpërndarë që të shkojmë në zgjedhje të parakohshme, se zgjidhje tjetër këtu nuk po shoh, me këtë qasje që ekziston dhe mosbesimit të thelluar”, ka thënë Kusari-Lila.
Sipas Kusari-Lilës, humbja e mandatit të deputetëve aktualë mund të jetë një nga pasojat juridike me të cilat mund të përballet Kuvendi, në mungesë të konstituimit brenda afatit 30-ditësh të përcaktuar nga Kushtetuesja.
Por deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri, ka thënë se përmendja e këtyre opsioneve është shantazh politik.
“Ata që e shtyjnë në opsion shpërndarjen e Kuvendit, ata që e shtyjnë në opsion dënimin e deputetëve, mund t’ju them lirisht që shtyjnë në funksion shantazhin politik. Marrëveshja politike bëhet me mirëbesim, vendoset një rrugë, të cilën fryma kushtetuese e kërkon”, është shprehur Haziri.
E deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka bërë përgjegjës të gjitha partitë për moskonstituim të Kuvendit. Sipas tij, asnjëra palë nuk është e gatshme të marrë iniciativën për të bërë zgjidhje.
“Gjykata Kushtetuese ka sjellë një vendim, dhe jemi duke pritur a do të ketë ndryshime apo jo. Krejt është përgjegjësi e kryetarëve të partive politike për të gjetur zgjidhjen. Partia e parë ka përgjegjësinë më të madhe, partitë e tjera po ashtu në nivelin e përqindjes. Asnjë s’është i gatshëm të marrë iniciativën për të bërë zgjidhje”, ka theksuar Hasani.
Deklarimet deputetët i bënë para se të dështonte për herë të 43-të konstituimi i Kuvendit. E moskonstituimi i Kuvendit, sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, rrezikon bllokimin e institucioneve të pavarura, në mungesë të zgjedhjes së anëtarëve të tyre.
Sipas IKD-së, tek institucionet që funksionojnë me mungesë të anëtarëve ose janë jofunksionale përfshihen edhe Gjykata Kushtetuese, Organi Shqyrtues i Prokurimit, Institucioni i Avokatit të Popullit, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, Agjencia Kosovare e Pronës, Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës, si dhe Komisioni i Pavarur për Media (KPM).