Ministrat e jashtëm të Gjermanisë, Jordanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar kanë bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm në luftën në Sudan, duke e përshkruar situatën atje si shumë të rëndë.
Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara kanë paralajmëruar se luftëtarët e Forcave Paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë kanë sulmuar qytetin el-Fasher të Darfurit, duke vrarë më shumë se 450 njerëz në një spital dhe duke kryer vrasje të civilëve dhe sulme seksuale si dhe spastrim etnik. Ndërsa RSF ka mohuar vrasjen e njerëzve në spital.
Ata që kanë ikur nga el-Fasheri, imazhet satelitore dhe videot që qarkullojnë në mediat sociale japin pamje të asaj që duket të jetë një masakër masive që po ndodh në qytet.
Sipas agjencisë së refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, më shumë se 60, 000 njerëz janë detyruar që të largohen nga qyteti el-Fasher, me më shumë se 150,000 të tjerë të bllokuar në qytet.