Në episodin e 26-të të podcastit PIKË me publicistin Veton Surroi, i ftuar është veprimtari dhe ish-i burgosuri politik Xhafer Shatri.
Shatri: E paralajmërova Rifatin se Prekazin do ta bënin “rrafsh me tokë”, por Ademi refuzoi të largohej
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, veprimtari dhe ish-i burgosuri politik Xhafer Shatri ka rrëfyer një episod lidhur me ditët para masakrës së Prekazit dhe rënies së Adem Jasharit me familjen e tij.
Shatri tregoi se në mes të shkurtit 1998 kishte marrë informacione nga diplomatë kroatë dhe perëndimorë se Serbia po përgatitej për një ofensivë të madhe në Drenicë, dhe se rreziku për familjen Jashari ishte i pashmangshëm.
“I thashë Rifat Jasharit në Bernë: ‘Prekazin kanë me e bâ rrafsh me tokën. Të lutem shumë, thuaji Ademit dhe Hamzës me çdo kusht të dalin në Tiranë, që të shmanget masakra’. Por, më vonë Rifati më tha se Ademi kishte vendosur të mos largohej. Ai e kishte marrë vendimin të qëndronte aty”. rrëfeu Shatri.
Ai shtoi se ky qëndrim i Adem Jasharit për të mos braktisur Prekazin ishte një vendim i vetëdijshëm dhe i pakthyeshëm, i cili u shndërrua në simbolin më të madh të sakrificës për lirinë e Kosovës.
“Ademi e ka ditë çka po e pret. Ai ka zgjedhë me sakrifiku me vetëdije. Ky ka qenë piku i luftës dhe kthesa që dëshmoi gatishmërinë e një populli për liri”, ka thënë Shatri.
Shatri: Autorët e komunikatës nr. 45 nuk kanë asnjë kredibilitet moral të flasin për UÇK-në
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, veprimtari dhe ish-i burgosuri politik Xhafer Shatri ka folur për komunikatat e UÇK-së, duke veçuar si më problematike komunikatën nr. 45, të lëshuar më 9 mars 1998.
Shatri theksoi se kjo komunikatë, e publikuar vetëm pak ditë pas rënies heroike të Adem Jasharit me familjen e tij në Prekaz, nuk përmbante asnjë fjalë për varrimin e tij.
“Komunikata nr. 45 nuk flet asnjë fjalë për varrosjen e Adem Jasharit. Kjo tregon se ata që e kanë lëshu komunikatën, Adem Jasharin nuk e kanë konsideru si pjesë të vetën. Dhe njerëzit që nuk kanë lëshu dy fjalë për të, nuk kanë asnjë kredibilitet moral me folë për UÇK-në”, u shpreh Shatri.
Ai shtoi se kjo përbën “anën më të rëndë të luftës në Kosovë”, pasi tregon një rënie të sistemeve të vlerave dhe përdorimin e komunikatave për qëllime të tjera, larg sakrificës së vërtetë të luftëtarëve të lirisë.
Shatri: Vrasësit e Ahmet Krasniqit e panë luftën si garë për pushtet
Në një bashkëbisedim në podcastin PIKË me publicistin Veton Surroi, veprimtari dhe ish-i burgosuri politik Xhafer Shatri ka folur gjerësisht për figurën e kolonel Ahmet Krasniqit, i vrarë në Tiranë në vitin 1998.
Shatri e përshkroi Krasniqin si një njeri të ndershëm dhe një shqiptar të jashtëzakonshëm, i cili nuk kishte ambicie për pushtet, por që kishte si synim organizimin dhe forcimin e UÇK-së.
“Ahmet Krasniqi nuk ka dashtë poste politike. Ai ka dashtë me organizu UÇK-në, me e financu, me e trajnu e me e armatosë për Kosovën. Kurrfarë ambiciesh tjera ai njeri nuk ka pasë”, ka thënë Shatri.
Ai theksoi se falë angazhimit të Krasniqit ishte shmangur një luftë vëllavrasëse mes shqiptarëve, ndërsa financuesi më i madh i UÇK-së kishte rezultuar të ishte Qeveria e Republikës së Kosovës në ekzil.
Lidhur me rrethanat e vrasjes së Krasniqit, Shatri u shpreh se pas saj qëndronin individë që e shihnin luftën si rrugë drejt pushtetit, jo si betejë për liri.
“Ata që qëndrojnë realisht prapa vrasjes së Ahmet Krasniqit kanë qenë njerëz që luftën për liri e kanë kuptuar si luftë për pushtet. Ahmet Krasniqi kurrë s’e ka kuptuar luftën e Kosovës si luftë për pushtet, por për liri”, ka thënë Shatri.
Në këtë bisedë, Surroi kujtoi edhe një episod me ambasadorin amerikan Christopher Hill, i cili pas vrasjes së Krasniqit kishte sugjeruar se autorët ishin shqiptarë, megjithëse mbetet i bindur se interesi më i madh për eliminimin e tij i përkiste Beogradit.