(Përditësuar) - Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se duhet angazhuar maksimalisht që të evitohen zgjedhjet e parakohshme.
Kurti ka thënë, pas takimit me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, se atmosfera me opozitën kurrë s’ka qenë më konstruktive. Ai ka thënë se janë mundësitë për t’i evituar zgjedhjet dhe se në dy ditët në vijim do të intensifikohen diskutimet për të gjetur një zgjidhje për çështjen e presidentit. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 4 marsi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoAi ka thënë se si Lëvizje Vetëvendosje me 30 nënshkrime mund ta nominojnë vetëm një kandidat për president dhe se nëse i përfshin edhe votat e pakicave, që janë në mazhorancë, atëherë mund të propozohen dy kandidatë. Ai tha se partitë opozitare mund të propozojnë një kandidat të vetin.
“Kushtetuta na obligon t’i evitojmë zgjedhjet, të mos shkojmë në zgjedhje. Të angazhohemi maksimalisht që të mos shkojmë në zgjedhje. Kushtetuta i obligon deputetët të votojnë. Kushtet janë ideale t’i kemi tre kandidatë, e aktualisht s’e kemi asnjë. Pasi mundësitë janë, do të vazhdojë të komunikojë”, tha Kurti.
Ai tha se nuk ka ndonjë të re dhe se nuk është arritur ndonjë dakordim për ndonjë figurë konsensuale e po ashtu edhe një marrëveshje politike me ndonjë parti nga opozita nuk ka.
“Figurë konsensuale s’kemi e as marrëveshje politike, sidomos prej se nga PDK-ja u tha se propozimi duhet të jetë partiak, kjo e bën çështjen më të ndërlikuar. Na ngelet nesër e pasnesër të shohim se çfarë mund të bëjmë për të bërë hapin para. Na duhen të kemi 80 vetë që qëndrojnë në sallë minimalisht, por s’mund të shkojmë në votim me 80 vetë pasi në fund nëse mbesin shkon vendi automatikisht në zgjedhje. E kemi prioritet absolut në situatën aktuale politike evitimin e zgjedhjeve...Kurrë atmosfera s’ka qenë më konstruktive me opozitën. Por, nuk nënkupton automatikisht se kjo përkthehet në hapa konkret”, tha Kurti.
Ai shtoi se mundësitë janë për t’i evituar zgjedhjet e parakohshme, por tha se nuk do të ishte hera e parë që në Kosovë të ndodhin gjëra të paarsyeshme.
Kurti para takimit me Abdixhikun: Na duhet kandidat që siguron 80 vota
(Lajm i përditësuar) - Ka nisur takimi mes kryeministrit Albin Kurti dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku.
Para takimit, Kurti ka thënë se janë duke vazhduar përpjekjet për të përmbyllur me sukses sfidën për zgjedhjen e presidentit, duke theksuar se iu duhet një kandidat që siguron 80 vota.
“Po i vazhdojmë përpjekjet për të përmbyllur me sukses edhe sfidën e zgjedhjes së presidentit. Na duhet kandidati apo kandidatja që siguron 80 vota në sallë. Pas takimit me kryetarin e PDK-së Bedri Hamzën, po takohemi edhe me kryetarin e LDK-së, gjithçka brenda fare pak ditësh do të merret vesh”, tha Kurti.
Para takimit, Abdixhiku nuk është deklaruar para mediave.
Asnjëra nga partitë ende nuk ka propozuar asnjë emër për president. Presidentja aktuale Vjosa Osmani dhe ish-deputeti Arsim Bajrami e kanë shpallur kandidaturën e tyre për këtë post.
Zgjedhja e presidentit, Kurti sot takohet me Abdixhikun
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot do të takohet me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, për çështjen e zgjedhjes së presidentit në vend.
Ende nuk dihet vendi dhe ora e mbajtjes së takimit. Takimet e fundit Kurti me liderë të partive politike janë mbajtur në ambientet e Kuvendit të Kosovës.
Kurti në Këshillin e Përgjithshëm të kësaj partie të mbajtur të dielën, tha se duke pas kohën e shkurtër për zgjedhjen e presidentit, ka filluar menjëherë angazhimin për tejkalimin e kësaj sfide, duke nis takimin me subjektet politike parlamentare. Ai ndër të tjera përmendi Murat Jasharin për president, “si zgjidhje e duhur në kohën e duhur”. Por Jashari, javën e kaluar ka bërë të ditur se nuk është i interesuar për çështjen e presidentit.
Të shtunën, Kurti ka takuar kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza për herë të dytë sa i për këtë çështjes së presidentit.
Hamza pas takimit të së shtunës me Kurtin, tha se i ka propozuar kreut të LVV-së, ofertën që kandidati për president të propozohet nga PDK.
Bajrami: Kurti dëshiron ta fusë nën kontroll secilin institucion e të sillet pastaj si mbret
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dy herë është takuar me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe atë të PDK-së, Bedri Hamza, dhe nuk është dhënë asnjë propozim apo emër për president.
Ajo ka thënë se takimet ishin sa për t’i treguar njëri-tjetrit se nuk i përkrahin kandidatët partiakë.
Bajrami ka thënë se Vetëvendosje, duke pasur në Kuvend së bashku me minoritete 66 ulëse, e ka përgjegjësinë kryesore për zgjedhjen e presidentit dhe se i ka pasur dy mundësi për ta bërë këtë.
“E para duke e bërë pjesë të Qeverisë ndonjërën prej partive politike në mënyrë që më vonë të siguroheshin votat edhe për president ose tani duke propozuar një president apartiak - një që pranon të bëhet president. Por, Kurti as s'e ka bërë të parën as s'po e bën të dytën dhe nëse mendon që ka me zgjedhë president me shantazh duhet të mendohet dy herë, se gjasat janë reale që nuk përsëritet më 2021-ta. E nëse shkojmë në zgjedhje krejt e dimë që zgjedhjet nuk janë zgjidhje: kemi me mbetur pa institucione funksionale me muaj të tërë, me shpenzu prapë dhjetëra miliona euro taksa të qytetarëve dhe do të vijmë saktë në pikën ku jemi sot - kjo është papërgjegjësi totale”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Ajo ka thënë se qytetarët duhet ta vëzhgojnë sjelljen e Kurtit dhe ta kuptojnë “se ai veç hallin e tyre nuk e ka”. Ajo ka thënë se Kosova s’guxon të mbetet peng i dy apo tre emrave për president.
“Ai nuk e ka hallin e faturave të energjisë që pritet të rritën prapë, as të arsimit, as të shëndetësisë as atë të migracionit. Kurti dëshiron ta fusë nën kontroll secilin institucion dhe mandej të sillet sikur të ishte mbret. Kosova nuk guxon të mbetet peng i dy as tre emrave për president, jam e sigurt, se ka burra e gra me dije e integritet jashtë partive politike më shumë se brenda tyre, vetëm duhet vullnet e guxim, duhet me qenë në gjendje me vendosë interesin e vendit e interesin e qytetarit para atij personal e të partisë”, ka shkruar Bajrami.
Kurti të hënën është takuar me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku. Pas takimit ai tha se duhet evituar zgjedhjet me çdo kusht dhe se dy ditët në vijim do të vazhdojnë diskutimet. Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 4 marsi.
Abdixhiku për presidentin: S'kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, pas takimit me kryeministrin Albin Kurti ku kanë folur për çështjen e presidentit, ka thënë se nuk kanë qëndrime refuzuese ndaj askujt, e sidomos ndaj presidentes aktuale Vjosa Osmani.
Ka shtuar se aktualisht nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.
“Ne nuk kemi qëndrime refuzuese ndaj askujt, e aq më pak ndaj Osmanit”, ka thënë ai.
Tutje ka deklaruar se e sheh shumë të vështirë çështjen e konsensusit politik në këtë moment brenda partive politike shqiptare, duke shtuar se nuk ka ndonjë kandidat specifik i cili u është prezantuar.
Ka shtuar se herën e kaluar në takim me Kurtin, në tavolinë kanë pasur imponim, për çka thotë se e kanë hequr nga tavolina.
“Më pas ka qenë marrëveshja politike dhe konsensusi. Kurti ka kërkuar 85 vota, pra nuk pas parakushte e as diskutime për marrëveshje politike. Le ta provojnë garën, por LDK-ja sugjeron që ta provojnë konsensusin para garës. Ne nuk kemi thënë asnjëherë që kemi apo nuk kemi votë për Vjosa Osmani”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka thënë se nuk u është propozuar asnjë emër për të cilin u janë kërkuar nënshkrimet.
Ka paralajmëruar se do t’i kthehet grupit parlamentar të LDK-së për të raportuar lidhur me diskutimet.
“E shoh të vështirë konsensusin, nuk ka ndonjë emër që na është prezantuar, e as nuk na është kërkuar vota për ndonjë emër specifik. LDK-ja me 15 deputetë nuk mund të caktojë emër e as të nominojë dikë”, ka thënë ai.
Abdixhiku ka shtuar se do duhej të kishte unitet popullor lidhur me këtë çështje.
Ai ka thënë se për garë nuk beson që ka zgjidhje dhe sipas tij nëse PDK-ja dhe VV-ja vendosin për garë atëherë shkohet në zgjedhje.