Më pak se katër muaj kanë mbetur nga mbajtja e zgjedhjeve lokale. Teksa dita e zgjedhjeve po afrohet, njohës të procesit zgjedhor e tërheqin vërejtjen për problemet që do ta shoqërojnë atë, pasi, sipas tyre, nuk pritet të ketë përmirësim nga zgjedhjet e 9 shkurtit. Por, në KQZ insistojnë se kanë nxjerrë mësime nga procesi i fundit dhe se janë duke punuar që mangësitë të mos përsëriten më 12 tetor
Problemet që e përcollën procesin zgjedhor të 9 shkurtit rrezikojnë që të përsëriten edhe në zgjedhjet e nivelit lokal, që do të zhvillohen më 12 tetor.
Eugen Cakolli, hulumtues në Institutin Demokratik të Kosovës, tërheq vërejtjen për ballafaqim me telashet e vjetra, që do ta shoqërojnë këtë proces, e veçanërisht ato të shkaktuara nga ndryshimet ligjore.
Cakolli i përmend vështirësitë me ecurinë gjatë ditës së zgjedhjeve, zhvillimin e votimit jashtë Kosovës, numërimin e votave dhe shpalljen e rezultateve.
“Unë besoj së do të vijojmë që ta kemi problemin e vonesave në proces, sidomos tanimë kur Qendrat Komunale të Numërimit u provuan se janë mekanizëm relativisht joefikas për ta arritur synimin për të cilin janë bërë, pra që të ketë më shumë shpejtësi dhe saktësi në rezultate, e duke shtuar këtu faktin që kemi të bëjmë me dy palë fletëvotime, që do të numërohen brenda kutive të njëjta, unë besoj që kjo do ta prolongojë edhe më shumë procesin”, ka thënë ai.
Sipas tij, në zgjedhjet lokale do të ndikojë edhe polarizimi politik, i përcjellë nga ato të përgjithshme, e po ashtu, e sheh si problematik zhvillimin e dy proceseve zgjedhore brenda një viti.
“Organizimi i dy palë zgjedhjeve brenda afateve të cilat janë relativisht të afërta me njëra me tjetrën gjithmonë e bartin rrezikun e konfuzionit në mesin e qytetarëve, qoftë sa i përket mënyrës së votimit, sepse për dallim nga zgjedhjet parlamentare ku zgjodhën deri në 10 kandidatë, tashmë qytetarët do t’i marrin dy fletëvotime të ndryshme, në njërën prej së cilës do të duhej ta shenjojnë partinë politike dhe vetëm një kandidat e një tjetër për kryetar të komunës”, ka thënë ai.
Sipas Cakollit, telashet e 9 shkurtit, që mund të përsëriten edhe më 12 tetor janë edhe ato në lidhje me numrin e madh të fletëvotimeve të pavlefshme, ngjyrën shënjuese, shënimin e numrit të lartë të votimit me asistencë, pa i përmbushur kriteret e kërkuara.
Por, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se i kanë evidentuar mangësitë nga procesi zgjedhor i 9 shkurtit dhe janë duke punuar që ato të mos përsëriten më 12 tetor.
“Menjëherë pas përfundimit të zgjedhjeve të 9 shkurtit, KQZ-ja e ka diskutuar në forume të brendshme ecurinë e organizimit të procesit të këtyre zgjedhjeve dhe natyrisht se janë evidentuar mangësitë, të cilat e kanë shoqëruar këtë proces përgatitor, të cilat, sigurisht, janë theksuar edhe nga vëzhguesit e ndryshëm të zgjedhjeve e që kanë të bëjnë kryesisht me këshillat e vendvotimeve, publikimin e rezultateve, informimin më gjithëpërfshirës e të tjera”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.
Ai ka thënë se KQZ-ja i ka në dispozicion më shumë se 120 ditë për t’i përgatitur mirë këto zgjedhje.
“Do të punohet me të gjitha kapacitetet, në mënyrë që të kryhen të gjitha përgatitjet sipas kërkesave që dalin nga ligji për zgjedhjet e përgjithshme dhe nga ligji për zgjedhjet lokale, por, natyrisht, edhe kërkesat që dalin nga rregulloret zgjedhore”, ka thënë ai.
Mirëpo, optimist në lidhje me përmirësimet eventuale nuk është Cakolli nga KDI-ja. Ai thotë se dy proceset zgjedhore, i 9 shkurtit e ai që do të zhvillohet më 12 tetor, do të duhej të nxitnin ndryshime më të thella.
“Duke u bazuar në përvojat e deritanishme edhe kur KQZ-ja i ka pasur plot 6 muaj, siç ka qenë rasti me zgjedhjet e 9 shkurtit, ka dështuar në disa prej elementeve më përmbajtjesore, unë besoj që ende ekziston rreziku i përsëritjes së të njëjtave. Besoj që është në njërën anë fat i mirë që, pas përmbylljes së këtij procesi, do të mund të ulen të gjithë hisedarët përfshirë: deputetët, partitë politike, shoqëria civile, mediat, të gjithë akterët e tjerë dhe të diskutojnë për një reformë më përmbajtjesore, që do të adresohen të gjitha këto probleme, që shpeshherë shkojnë përtej karakterit teknik”, ka thënë hulumtuesi Eugen Cakolli.
Procesi zgjedhor i 9 shkurtit është përballur me telashe të ndryshme që nga dita e zgjedhjeve.
Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i janë dashur më shumë se një muaj e gjysmë që t’i certifikojë rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura më 9 shkurt.