Gjykata Kushtetuese u ka dhënë deputetëve 30 ditë për konstituimin e Kuvendit dhe ia ka njohur Listës Serbe të drejtën e pakufizuar për të propozuar kandidatin e saj për nënkryetar brenda këtij afati. Pos shortit si mekanizëm zhbllokues, i cili është i përjashtuar nëse LS-ja nuk refuzon propozimin, aktgjykimi i fundit nuk parasheh zgjidhje tjetër. E në atë paraprak ishte ofruar edhe një mekanizëm shtesë zhbllokimi
30 ditë kohë ua ka caktuar Gjykata Kushtetuese deputetëve për konstituimin e Kuvendit.
Brenda këtij afati, Gjykata i ka dhënë të drejtë të pakufizuar Listës Serbe, si shumicë brenda komunitetit serb, që të propozojë kandidatin për nënkryetar Kuvendi edhe pas ezaurimit të të gjithë emrave të deputetëve të saj.
Sipas këtij vendimi, për sa kohë që Lista Serbe nuk refuzon të japë propozime, procedura e shortit, si mekanizëm zhbllokues, nuk vjen në shprehje.
Ky aktgjykim nuk përmend ndonjë mjet tjetër për zhbllokim të ngërçit politik që mund të krijohet, po që se deri në ditën e fundit të afatit Lista Serbe vetëm i përsëritë propozimet e saj.
Por, një tjetër aktgjykim i Kushtetueses, ai paraprak, ofron edhe një mekanizëm tjetër zhbllokimi.
Atë që mund ta konsiderojë Kuvendin të konstituuar edhe pa njërin anëtar të kryesisë.
“Gjykata sqaron se në rastet kur e drejta kushtetuese në procedurën e zgjedhjes së anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit gjatë konstituimit të Kuvendit nuk ushtrohet nga deputetët apo grupet parlamentare, që kanë të drejtë të propozojnë ... të cilat mund të manifestohen në pengimin e këtij procesi, apo në rastet kur, përkundër vullnetit të shumicës së deputetëve për të zgjedhur anëtarin e Kryesisë, Kuvendit i pamundësohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së saj, Kuvendi përjashtimisht do të mund të vazhdojë funksionimin edhe pa njërin nga anëtarët e Kryesisë së Kuvendit, me kushtin që Kryesia e Kuvendit të ketë kuorum”, thuhet në aktgjykimin KO265/25 të Gjykatës Kushtetuese.
E Vetëvendosje nuk është përcaktuar nëse do t’i vërë në funksion këto opsione.
Sipas LVV-së, Gjykata ka shpërfaqur kontradikta në aktgjykimet që vetë i ka nxjerrë.
Deputeti i zgjedhur i kësaj partie, Adnan Rrustemi, ka përmendur edhe çështjen e nominimit të kandidatit që në rastin e LVV-së si shumicë, kishte thënë se ka të drejtë të nominimit deri në tri herë, ndërkaq për rastin e Listës Serbe thotë se ka vendosur standard tjetër.
“Gjykata Kushtetuese po karakterizohet nga një lloj inkonsistence në raport me vetë aktgjykimet e saj për të njëjtën çështje. Për më pak se 4 muaj kemi disa vendime të Gjykatës Kushtetuese të cilat ndryshojnë nga njëra tjetra për të njëjtin objekt”, ka thënë ai.
Rrustemi ka thënë se aktgjykimi i fundit nuk i shërben konstituimit të Kuvendit.
Por, sipas juristes Anita Shabani-Cacaj, Gjykata nuk ka treguar inkoherencë, porse në aktgjykimin e kaluar ka trajtuar kufizime procedurale të Rregullores së Kuvendit, ndërsa në të fundit shkelje të Kushtetutës.
Ndryshe nga Rrustemi, ajo thotë se aktgjykimi e ndihmon konstitumin nëse LVV-ja bën konsensus me Listën Serbe.
“Çka këtu duhet të ndodhë është një konsensus politik, sepse gjykata as nuk bllokon dhe as nuk e zhbllokon Kuvendin, por deputetët dhe shumica parlamentare që është në Kuvend e që në rastin konkret është LVV që duhet të arrijë konsensus politik me Listën Serbe”, ka thënë Cacaj.
Në Lëvizjen Vetëvendosje, së cilës i përket kryeparlamentari, nuk kanë dhënë përgjigje se çfarë mekanizmi zhbllokues do të përdorin në seancë, në rast se Lista Serbe vazhdon pa kufizim me të drejtën e propozimit.