Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“Eurovisioni” nën hijen e politikës

Izraeli

Foto: Associated Press

Edicioni i sivjetmë nisi të martën mbrëma pas krizës më të madhe në historinë 70-vjeçare të “Eurovisionit”. Islanda dhe katër vende të tjera e bojkotuan për të protestuar kundër pjesëmarrjes së Izraelit. Unioni Evropian i Transmetuesve, organizata jofitimprurëse që drejton garën, po përballet me sfida financiare. Për qeverinë izraelite, “Eurovisioni” u bë më shumë sesa një festë me veshje plot shkëlqim dhe skena me efekte piroteknike. Ai u bë një mundësi që, përmes paraqitjeve të forta të këngëtarëve të saj, të përmirësonte reputacionin e zbehur të vendit dhe të siguronte mbështetje ndërkombëtare

Mara Hvistendahl & Alex Marshall

Vjeshtën dhe dimrin e kaluar, diplomatë të lartë izraelitë kontaktuan urgjentisht zyrtarë dhe transmetues televizivë në gjithë Evropën për të trajtuar një çështje delikate, edhe pse të papritur: festivalin ekstravagant “Eurovision”.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Transmetuesit publikë dëshironin ta ndalonin Izraelin nga “Eurovisioni” dhe kërcënuan me bojkotim të garës muzikore për shkak të luftës në Gaza. Disa madje akuzuan qeverinë izraelite për ndikim të padrejtë në rezultatet përmes një fushate masive votimi.

Izraeli kishte ndoshta shqetësime më të mëdha diplomatike sesa një festival të muzikës pop, edhe pse ai ndiqet nga 166 milionë shikues në mbarë botën. Një komision i Kombeve të Bashkuara së fundmi kishte akuzuar Izraelin për kryerje gjenocidi, gjë që Izraeli e mohoi me forcë. Ndërkohë, liderë botërorë po njihnin shtetësinë palestineze, diçka që Izraeli e kishte kundërshtuar prej kohësh.

“Jam paksa i habitur pse kjo është një çështje me të cilën po merret ambasada”, ka shkruar Stefan Eiriksson, drejtori i transmetuesit kombëtar islandez.

Kjo përpjekje diplomatike, e panjohur më parë publikisht, për ta mbajtur Izraelin në “Eurovision” ishte vetëm një aspekt i dramës që u zhvillua gjatë vitit të kaluar rreth ngjarjes kulturore më të ndjekur në botë. Për qeverinë izraelite, “Eurovisioni” u bë më shumë sesa një festë me veshje plot shkëlqim dhe skena me efekte piroteknike. Ai u bë një mundësi që, përmes paraqitjeve të forta të këngëtarëve të saj, të përmirësonte reputacionin e zbehur të vendit dhe të siguronte mbështetje ndërkombëtare.
Edicioni i sivjetmë nisi të martën mbrëma pas krizës më të madhe në historinë 70-vjeçare të “Eurovisionit”. Islanda dhe katër vende të tjera e bojkotuan për të protestuar kundër pjesëmarrjes së Izraelit. Unioni Evropian i Transmetuesve, organizata jofitimprurëse që drejton garën, po përballet me sfida financiare.

Gara e këngës si “Soft Power” për Izraelin

Një hulumtim i së përditshmes “The New York Times” zbuloi një fushatë të mirëorganizuar nga qeveria e kryeministrit, Benjamin Netanyahu, e cila e përdori “Eurovisionin” si një mjet të “Soft Power” (fuqisë së butë), si dhe një organizator të fshehtë të garës që nuk ishte i përgatitur për të reaguar.
Përderisa festivali zakonisht argëtues u kthye në një betejë simbolike mbi çështjet e Lindjes së Mesme dhe të drejtave të njeriut, “Eurovisioni” pati vështirësi të mbronte një nga parimet e tij kryesore: që politika nuk luan asnjë rol në këtë ngjarje.

Përpjekjet e Izraelit për të ndikuar votimin ishin më të gjera dhe kishin filluar vite më herët sesa dihej më parë. Edhe para se polemika mbi votimin të bëhej publike, dokumentet financiare tregojnë se Izraeli kishte shpenzuar të paktën 1 milion dollarë për marketing lidhur me “Eurovisionin”. Një pjesë e këtyre fondeve erdhi nga zyra e “hasbaras” së Netanyahut, një term që përdoret si eufemizëm për propagandën jashtë vendit, për të promovuar këngëtaren izraelite.

Qeveritë nuk supozohet të ndërhyjnë në votim. “Eurovisioni” është një garë për transmetues publikë dhe këngëtarë, jo për qeveri.

Ministria e Jashtme izraelite nuk iu përgjigj kërkesave të detajuara për koment. Një zëdhënës i zyrës së Netanyahut ka thënë se do t’i shqyrtonte pyetjet dhe do të merrte parasysh një përgjigje, por nuk reagoi më tej.

Drejtori i “Eurovisionit”, Martin Green, ka thënë në një intervistë se veprimet e Izraelit vitin e kaluar ishin të tepruara, por nuk kontribuuan në vendin e dytë të papritur të shtetit.

Megjithatë, hetimi i “The New York Times”, i bazuar në të dhëna të pazbuluara më parë mbi votimin, dokumente të “Eurovisionit” dhe intervista me më shumë se 50 persona, zbuloi se fushata mund të kishte ndryshuar lehtësisht rezultatin e garës.

Këngëtarja izraelite fitoi votën e publikut në vende ku sondazhet tregojnë se Izraeli është thellësisht jopopullor. Një analizë e votave tregoi se, në disa vende, do të mjaftonin vetëm disa qindra persona që të votonin vazhdimisht për të ndryshuar rezultatin e votës, gjë që më pas mund të ndikojë në rezultatin final për shkak të sistemit të votimit.

Organizatorët kanë mbajtur të fshehta të dhënat e plota të votimit, madje edhe nga vetë transmetuesit e tyre. Përballë një revolte të brendshme dhe kërcënimeve nga aleatët e Izraelit për t’u larguar nga gara, ata minimizuan publikisht fushatën e votimit të Izraelit dhe nuk e hetuan kurrë plotësisht atë.

“Qeveria izraelite e ka përvetësuar ‘Eurovisionin’”

Organizatorët porositën një raport mbi qëndrimet e transmetuesve ndaj Izraelit, por e mbajtën raportin të fshehtë. Ata organizuan një votim për mbajtjen e Izraelit në garë, por më pas e anuluan papritur. Gjithashtu, dekurajuan transmetuesit që të flisnin me gazetarët.

“Qeveria izraelite e ka përvetësuar ‘Eurovisionin’”, ka thënë Stefan Jon Hafstein, kryetar i bordit të transmetuesit publik islandez.

Blerja e reklamave dhe koordinimi i mesazheve në rrjetet sociale nuk është e paligjshme. “Eurovisioni” është, në fund të fundit, vetëm një garë muzikore — megjithëse më e madhja në botë. Por ndërsa qeveritë shpesh përpiqen të përfitojnë nga publiciteti që sjellin këngëtarët e tyre, asnjë përpjekje promovuese e udhëhequr nga një qeveri nuk ka qenë kaq e gjerë dhe kontroverse sa ajo e Izraelit.
“Zëri i Izraelit duhet të dëgjohet kudo”, ka thënë presidenti ceremonial i Izraelit, Isaac Herzog, i cili ngriti çështjen e bojkotit në takime me liderë botërorë vitin e kaluar. “Ne duhet të marrim pjesë, duhet ta ngremë lart flamurin tonë dhe duhet të sjellim interpretuesit më të mirë në këtë ngjarje”.
“Eurovisioni”, që dikur nisi karrierat ndërkombëtare të grupit “ABBA” dhe ikonës së muzikës, Celine Dion, po përballet me një të ardhme të pasigurt. Parashikimet financiare të shqyrtuara nga “The Times” vlerësonin vitin e kaluar se bojkotet do t’i kushtonin organizatës qindra mijëra dollarë në tarifa pjesëmarrjeje.

Martin Green ka thënë se financat e “Eurovisionit” mbeten të forta, por pranoi se ka vështirësi në gjetjen e sponsorëve.

“Është padyshim një nga sfidat më të mëdha me të cilat jemi përballur”, ka thënë Green për polemikat rreth Izraelit. “Por ‘Eurovisioni’ ekziston për të demonstruar harmoni globale dhe për t’i treguar botës se si mund të ishte ajo”.

Kjo është historia nga brenda e polemikës që pothuajse e shkatërroi “Eurovisionin”.

Vijon nesër