Arbëri

ZKA: Njësia në Leposaviq jashtë strukturës organizative të “Trepçës”

Bazuar në raportin e auditimit financiar për vitin 2024, njësia biznesore në Leposaviq ushtron veprimtari në mospërputhje me kornizën ligjore të ndërmarrjes. Parregullsi janë gjetur edhe në njësinë e ndërmarrjes në Stantërg

Funksionim në mospërputhje me kërkesat ligjore për njësinë “Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq” ka gjetur Zyra Kombëtare e Auditorit në ndërmarrjen “Trepça”.

Në raportin e auditimit financiar për vitin 2024, ZKA-ja ka gjetur se kjo njësi biznesore e Trepçës përdor dy numra unikë për identifikimin e veprimtarisë.

“Nuk zbaton sistemin unik të kontabilitetit dhe raportimit financiar të ndërmarrjes. Vepron me llogari bankare të pavarura, në emër të subjektit “Trepça – Ndërmarrje në Administrim të AKP-së, jashtë sistemit bankar të Trepça sh.a., dhe nuk posedon nënllogari bankare të hapura sipas kërkesave të Ligjit për Trepçën”, thuhet në raport.

E për funksionimin e kësaj njësie jashtë strukturës organizative, ZKA-ja ka konstatuar se përbën mospërputhje me dispozitat ligjore dhe se e rrezikon deformimin e pasqyrës reale financiare të ndërmarrjes.

Pos kësaj, Auditori ka gjetur se në njësinë në Leposaviq ka dallim mes numrit të punëtorëve të deklaruar në Administratën Tatimore dhe në regjistër të personelit. 

Lidhur me sistemimin e punëtorëve nëpër vende të punës, ZKA-ja ka evidentuar shkelje edhe në Njësinë Biznesore në Stantërg.

“Kemi verifikuar se 41 punonjës, të cilët me kontrata janë sistemuar në një vend pune të caktuara gjatë vitit 2024, ata kanë punuar në një vend tjetër pune në kuadër të njësisë biznesore. Po ashtu, janë identifikuar mangësi sa u përket pozitave të punës, për shkak se 21 punonjës mbajnë pozita të cilat nuk janë të parapara me rregulloren për sistematizim”, thuhet në raport.

Për këto gjetje të auditorit, të martën ka reaguar deputeti nga radhët e Partisë Demokratike, Ferat Shala. Sipas tij, ndërmarrja është para kolapsit.

“Raporti i Auditorit të përgjithshëm i konfirmon të gjitha pretendimet tona për gjendjen në ndërmarrjen ‘Trepça’ dhe i demanton skajshmërisht Qeverinë, Ministrinë e Ekonomisë dhe menaxhmentin e ‘Trepçës’ për politikat që kanë ndjekur në dëm të kësaj ndërmarrjeje. Gjendja në ‘Trepçë’ nuk ka qenë kurrë më e rëndë. Shifrat tregojnë qartë, de facto dhe de jure, se ‘Trepça’ është para kolapsit”.

Shkelje ZKA-ja ka gjetur edhe në mospërdorimin e sistemit të e-prokurimit për menaxhimin e kontratave dhe në vlerësimin e performancës së kontraktuesve.