Arbëri

Thaçi: Caktimi kësaj seancë do të duhej evituar, është befasi jo e mirë për mua dhe çdo shqiptar

Artikull i përditësuar 12:14 - Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë, Hashim Thaçi mori fjalën duke i thënë gjyqtarit se seanca e cila ishte caktuar sot për 28 nëntor do të duhej evituar.
Ai tha se është në interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk mund të ndodhin në shtetet përkatëse të palëve.

“E mirëpres mbajtjen e kësaj seance, dhe për këtë arsye jam edhe sot në këtë seancë sepse jam i përcaktuar për respektimin e shtetit ligjor. Është me interes që në këtë gjykatë të mos ndodhin gjëra që nuk mund të ndodhin në shtete e juaja përkatëse”, tha Thaçi.

Thaçi tha se si çdo popull, edhe shqiptarët kanë historinë e vet dhe se mbajtja e kësaj seance ishte befasi jo e mirë për të dhe shqiptarët.

“Si çdo popull edhe ne shqiptarët kemi historinë, traditat dhe vlerat kombëtare dhe shtetërore. Mendoj që caktimi i kësaj seance sot me 28 nëntor duhej evituar. Mbajtja e kësaj seance pikërisht sot për mua dhe për çdo shqiptar është befasi jo e mire”, tha ai.

Ai tha se 28 Nëntori është festë e dinjitetit dhe krenarisë kombëtare.

“Sot, çdo shqiptar ka festë kombëtare, shtetërore dhe familjare sepse është festa e dinjitetit dhe krenarisë kombëtarë ku si çdo popull i lirë në botë kujton dhe feston”, tha Thaçi.

Thaçi tha se sot, çdo familje shqiptare duke përfshirë edhe institucionet e Kosovës janë në festë.
Gjyqtari më pas i tha Thaçit se për caktimin e kësaj seance ka pas pajtime mes palëve duke përfshirë edhe mbrojtjen.


ZPS: Paraqitja e provave në rastin kundër administrimit të drejtësisë s’do të zgjasë më shumë se 2 javë

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka parashtruar se në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Bashkim Smakajt, Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit, paraqitja e provave të tyre kryesore nuk mendon se do të zgjasë më shumë se dy javë.

Gjatë prezantimit të parashtrimeve, gjyqtari i vetëm Chrisoph Gosnell tha se Prokuroria ka propozuar që të gjithë dëshmitarët e saj të dëgjohen në mënyrë të njëpasnjëshme në fillim të shkurtit 2026. Veç kësaj, në sallë u tha se Prokuroria do të mbështetet në tre dëshmitarë.

“Prokuroria ka paraqitur çështjen e tyre pra, provat kryesore, mendojnë se nuk do të zgjasin më shumë se dy javë për të paraqitur gjithë provat e tyre dhe propozon që të gjithë dëshmitarët të dëgjohen në mënyrë të njëpasnjëshme në fillim të shkurtit”, tha gjyqtari.

Gjyqtari tha se sa i takon dëshmitarit 7 kanë paraqitur sipas rregullores dokumentet që janë nxjerrë më herët dhe dëshminë e tij kryesore.

Prokurori Joshua Hafetz u pyet se a ka mundësi që dëshmia kryesore e dëshmitarit mund të ndikohet meteje nga rezultatet e hetimeve që janë vazhdim e sipër.

Prokurori tha se mund të ketë ndikim në atë duke shuar se është e vështirë të thuhet derisa t’i marrin rezultatet e hetimeve. Po ashtu, edhe ekipet e mbrojtjes njoftuan se do të kenë pyetje për këtë dëshmitar.

Ndërkohë që palët po diskutonin për mocionet dhe afatet për dorëzimin e provave gojore, Thaçi kërkoi që të flas. Ndërsa, avokatja e tij, Sophie Menegon tha se komenti i klientit të saj nuk lidhet shumë me mocionet e paraqitjes së provave.

Ndërsa, gjyqtari i vetëm në këtë rast, Christoph Gosnell tha se atij do i jepet  mundësia që të bëjë ndërhyrje por njëherë do të vazhdohet me agjendën.

Në sallën e gjyqit të pranishëm fizikisht janë vetëm Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj ndërsa Thaçi, Smakaj, dhe Kuçi janë të pranishëm përmes video-lidhjes. Përmes videolidhjes janë të pranishëm edhe disa nga avokatet.

Ish-presidenti Hashim Thaçi ndodhet në Qendrën e Paraburgimit në Hagë që nga nëntori i vitit 2020. Ai është duke u gjykuar për krime lufte, si dhe vitin e kaluar i është ngritur aktakuza kundër administrimit të drejtësisë.

Lidhur me rastin kundër administrimit të drejtësisë, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Isni Kilaj u arrestuan më 5 dhjetor 2024 në Kosovë dhe u transferuan në objektin e paraburgimit në DhSK, më 6 dhjetor 2024 në bazë të aktakuzës së konfirmuar dhe fletarrestimeve të lëshuara nga Haga.

Ndërsa, Thaçit i është dorëzuar fletarrestimi në objektin e paraburgimit në Hagë më 5 dhjetor 2024, gjithnjë sipas njoftimit të DhSK-së.

Kurse, Hajredin Kuçit i është dorëzuar aktakuza e konfirmuar dhe fletëthirrja për t’u paraqitur para gjykatëses së procedurës paraprake për paraqitjen e parë, e cila u mbajt 9 dhjetor.

Sipas aktakuzës, Thaçi individualisht dhe përmes veprimeve të përbashkëta me grupet; Grupi Fazliu (Fadil Fazliu dhe FahriFazliu), Grupin Smakaj (Bashkim Smakaj, Blerim Shala dhe Artan Behrami) si dhe Grupin Kilaj (Isni Kilaj dhe VllaznimKryeziu), kanë ndjekur një model të sjelljes për të penguar personat zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se Thaçi ka udhëhequr dhe marrë pjesë në këto përpjekje përmes vizitave të tij në objektet e paraburgimit gjatë kohës sa ishte i paraburgosur në kuadër të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aty thuhet se anëtarët e Grupit Fazliu, Grupit Smakaj dhe Grupit Kilaj u koordinuan për të ndikuar në dëshmitarët e ZPS-së gjatë vizitave jo të priveligjuara të datave 2 korrik, 9 shtator dhe 6 tetor 2023.

Si rrjedhojë, ndaj Thaçit rëndojnë tri akuza për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare, tri për shkelje të fshehtësisë së procedurës dhe katër akuza për mosbindje ndaj gjykatës.

Ndërsa, Kilaj, Smakaj dhe Fazliu akuzohen për tentativë të pengimit të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare dhe mosbindje ndaj gjykatës. Kurse, Kuçi i ka dy akuza për mosbindje ndaj gjykatës. Në këtë rast, Prokuroria ka dorëzuar dosjen paraprake dhe mund ta gjeni KËTU.  Po ashtu, dosjen e tij për këtë fazë të procedurës e ka dorëzuar edhe Fadil Fazliu./Betimi për Drejtësi