Arbëri

ZRRE-ja “shuan” shpresat për pezullim të vendimit për shtrenjtimin e rrymës

Kërkesa e Avokatit të Popullit për pezullimin e vendimit për tarifat e reja të rrymës nuk pritet që ta marrë aprovimin nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Edhe pse kanë thënë që ende nuk është kthyer përgjigje në kërkesë, në këtë institucion kanë bërë të ditur se vendimet e Bordit nuk i nënshtrohen pezullimit nga asnjë organ tjetër publik.

“Sipas nenit 26 të Ligjit Nr. 05/L-084 për Rregullatorin e Energjisë, vendimet e bordit të ZRRE-së kanë efekt të menjëhershëm dhe nuk u nënshtrohen rishikimit, pezullimit apo vetos nga asnjë organ tjetër publik, përveçse mund të jenë subjekt i shqyrtimit gjyqësor”, kanë thënë në ZRRE.

Në këtë zyrë kanë bërë të ditur gjithashtu se është duke u shqyrtuar përmbajtja e kërkesës së Avokatit të Popullit për të vlerësuar pretendimet dhe përputhshmërinë me kuadrin ligjor në fuqi, teksa kanë thënë se do t’i përgjigjen Avokatit të Popullit në mënyrë zyrtare.

E një ditë para hyrjes në fuqi të vendimit për shtrenjtim të rrymës prej 16.1 për qind, Avokati i Popullit ka kërkuar nga ZRRE-ja që të pezullojë atë deri në përfundim të hetimeve mbi ankesat e shumta të qytetarëve që ka pranuar. Sipas Avokatit të Popullit, vendimi për rritjen e tarifave është marrë në kohën kur ka boshllëk institucional.

“Avokati i Popullit vë në pah mungesën e koordinimit institucional dhe nënvizon se këto vendime janë marrë në një moment boshllëku institucional – pa Kuvend të konstituuar dhe pa Qeveri të mandatuar, gjë që ka ndikuar në mungesën e debatit të nevojshëm publik dhe institucional për çështje që janë me rëndësi jetike për qytetarët”, kanë thënë në zyrën e Avokatit të Popullit.

Ky institucion ka rikujtuar se Qeveria, në përputhje me Ligjin për Energjinë Elektrike, mban përgjegjësi për garantimin e interesit publik, sigurimin e qasjes së barabartë dhe përfshirjen sociale në politikat energjetike.

ZRRE-ja më 16 prill ka marrë vendim për rritjen e çmimit të energjisë për 16.1 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.