Arbëri

ZRRE-ja ul çmimin për ngrohje

ZRRE-ja ul çmimin për ngrohje

Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike (ZRrE) ka ulur çmimin e ngrohjes nga ndërmarrjet publike për konsumatorët në Prishtinë dhe Gjakovë.

Pas mbledhjes së kësaj zyre, kryetari i bordit, Ymer Fejzullahu, ka thënë se kjo u vendos për shkak të kursimit që është bërë.

Ai ka thënë se zbritja prej 4-5 për qind do të vlejë për konsumatorët me matje të shpenzimeve. Sipas tij, është pikërisht kjo kategori që ka kursyer energjinë dhe si rezultat ka ndryshim të tarifave. Fejzullahu ka thënë se zbritja do të reflektohet gjithmonë kur ka kursime.

Me çmimin e ri, tani konsumatorët në Prishtinë do të paguajnë 73 centë për kilovat në muaj, ndërsa ata në Gjakovë 72 centë. Deri tash ka qenë 76 centë.

Deri vitin e shkuar çmimi vlente për metër katrorë, ndërsa nga viti i shkuar në disa zona ka nisur faturimi bazuar në matësit e vendosur nëpër radiatorë.

Termokos ka rreth 25 mijë konsumatorë.

Sezoni i ngrohjes nga Termokosi zakonisht nis më 15 tetor dhe vazhdon deri më 15 prill.