Auto

Volkswageni ndërpret prodhimin e veturave elektrike në dy fabrika në Gjermani

Volkswagen

Volkswagen do të ndërpresë prodhimin në dy nga fabrika në Gjermani për shkak të kërkesës së dobët për veturat elektrike.

Prodhuesi gjerman do të ndalojë operimin për shtatë ditë në mes të tetorit në Dresden, si dhe në fabrikën e veturave elektrike në Zwickau, e cila prodhon gjashtë modele elektrike për VW, Audi dhe Cupra.

Gjithashtu planifikohet shkurtimi i javës së punës me një ditë në fabrikën e tretë në Osnabruck.

Ky vendim, nga kompania që shihet si simbol i fuqisë ekonomike të Gjermanisë dhe motor i ekonomisë së BE-së, konsiderohet goditje për synimet e bllokut që kontinenti të kalojë në vetura elektrike brenda dhjetë vjetëve të ardhshme.

Mbyllje po shqyrtohen edhe për fabrikën e katërt në Emden, e cila prodhon modelet ID.4 dhe ID.7.

Edhe Stellantis, kompania që prodhon Fiatin dhe Peugeotin, ka njoftuar ndërprerje të prodhimit në disa fabrika evropiane për arsye të ngjashme me VW.

Shitjet e veturave elektrike ranë muajin e kaluar, ndërsa kërkesa për modelet hibride me bateri u rrit.

Të dhënat nga Shoqata Evropiane e Prodhuesve të Automjeteve tregojnë se, ndonëse adoptimi i veturave elektrike është i lartë në Norvegji, në pjesë të tjera të Evropës po ecën ngadalë. Në Evropën Jugore, ku infrastruktura e karikimit është e dobët, kërkesa është veçanërisht e ulët.

Në total, vetëm 16% e shitjeve të reja të veturave janë elektrike, sipas shoqatës. Përqindja e hibrideve është 37%.

Ndërkohë, markat kineze po hyjnë fuqishëm në tregun evropian, me shitjet e BYD që u rritën me gati 250% në tetë muajt e parë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024.