Basketboll

Bashkimi është gati për debutimin e vështirë evropian

bashkimi

Me eliminimin nga Den Boschi në çerekfinale të raundit kualifikues të Ligës së Kampionëve në basketboll, Trepça është zhvendosur në fazën grupore të FIBA Europe Cup, që është nivel më i ulët garash.

Trepçës në fazën grupore, përkatësisht në të njëjtin grup, synon t’i bashkohet Bashkimi i Prizrenit. Bashkimi të mërkurën mbrëma debuton në skenën evropiane të basketbollit.

Luan me skuadrën e madhe polake, Anwil Wloclawek, në raundin kualifikues të FIBA Europe Cup. Ndeshja e parë zhvillohet të mërkurën nga ora 19:00, në palestrën “Sezai Surroi”, në Prizren. Ndeshja e kthimit është në Wloclawek të Polonisë, më 1 tetor. Skuadra më e suksesshme pas dy ndeshjeve avancon në fazën grupore.

“Për herë të parë marrim pjesë në gara evropiane. Prandaj është ndeshje shumë e rëndësishme, historike. Jemi duke u përgatitur mirë, por kemi kundërshtar shumë të fortë, që para dy vjetësh ishte kampion i kësaj lige. Nuk na mbetet gjë tjetër pos të japim maksimumin”, ka thënë kapiteni i Bashkimit, Altin Morina.

Bashkimi është nënkampion i Kosovës. Ka formuar skuadër garuese, me synim për të fituar trofe vendorë, por edhe për paraqitje sa më të denjë në FIBA Europe Cup. Prizrenasit kanë mbajtur bazën e lojtarëve vendorë, derisa kanë shtuar Jan Palokajn. Ndërkohë kanë angazhuar shumë amerikanë, që shpresohet të jenë cilësorë.

Anwili është prej klubeve më të mëdha në Poloni. Kampion në FIBA Europe Cup ishte në vitin 2023. Gjatë verës ka mbledhur skuadër që synon tjetër kampanjë të suksesshme evropiane.

“Është mundësi  e madhe për Prizrenin dhe për Bashkimin që të garojë në kualifikimet e FIBA Europe Cup. Në jetë jam optimist, por edhe realist. Nuk kemi pasur fat në short. Përballemi me ekipin që vazhdimisht është kampion apo nënkampion i Polonisë. Kam punuar tashmë në Poloni dhe e di që Anwili është prej klubeve më të mëdha në këtë vend. Do të jetë shumë vështirë për ne. Por, sidomos në Prizren duhet ta sfidojmë fuqishëm kundërshtarin nga Polonia”, ka thënë trajneri i Bashkimit, Igor Jovoviq.

Bashkimi pritet të ketë përkrahje të madhe të shikuesve në ndeshjen e së mërkurës mbrëma.

Nëse potencialisht kualifikohet në fazën grupore, Bashkimi do të jetë në Grupin F së bashku me Trepçën, skuadrën gjermane Braunschweig dhe PAOK-un grek. Ky grup vlerësohet shumë i fortë.