Bashkimi i Prizrenit e ka bërë hapin e parë drejt titullit të kampionit të Kosovës në basketboll.
Në ndeshjen e parë të serisë finale të plejofit, Bashkimi e mposhti Trepçën. Ndeshja e së dielës mbrëma në “Sezai Surroi” në Prizren përfundoi me rezultatin 84:77 për skuadrën e portokalltë. Ndeshja u zhvillua pa praninë e shikuesve. Bashkimi ishte i dënuar me një ndeshje pa shikues për shkak të një rrahjeje që kishte ndodhur në ndeshjen e fundit me Pejën në Prizren.
Ndonëse nuk e kishte përkrahjen e shikuesve, Bashkimi dominoi ndaj kampiones në fuqi, Trepçës. Çereku i parë u takoi mitrovicasve, 18:15. Menjëherë në minutën e 11-të, prizrenasit kaluan në epërsi 19:18. Në çerekun e dytë u luajt lojë e fortë, por Bashkimi ia doli të shkëputet në minutat e fundit, 38:32.
Edhe çereku i tretë i takoi Bashkimit, 25:19. Në këtë çerek epërsia e Bashkimit disa herë ishte 12 pikë. Pas 30 minutave lojë rezultati ishte 63:51.
Në fillim të periudhës së katërt epërsia e vendasve ishte 14 pikë, 65:51. Në mes të periudhës së katërt Trepça u afrua në katër pikë, 71:67. Por Mack Smith “lidhi” disa pikë për të kthyer qetësinë te Bashkimi. Edhe në minutën e fundit mitrovicasit u afruan në pesë pikë, por pa rrezikuar fitoren e vendasve.
Smith shkëlqeu te Bashkimi me 22 pikë, tetë kërcime e tri asistime. Wendell Green po ashtu i kishte 22 pikë, ndërsa shtoi dy kërcime e dy asistime. Ndërkohë qendra Jayveous McKinnis bëri punë të madhe me 13 pikë e 11 kërcime. Valon Bunjaku dha kontribut të vlefshëm me 11 pikë, tri kërcime e katër asistime, ndërsa Lejson Zeiqiri ndeshjen e përfundoi me nëntë pikë.
Te Trepça u dallua Mikaile Tmushiq me 21 pikë e katër asistime. Michael Myers i kishte 10 pikë, 13 kërcime e katër asistime. Tekele Cotton i realizoi 18 pikë, por nuk e shfaqi formën e gjysmëfinaleve ndaj Prishtinës. Drilon Hajrizi i realizoi 11 pikë.
Finalja e dytë zhvillohet të mërkurën mbrëma në “Minatori”. Kjo palestër pritet të stërmbushet me shikues, njëjtë si palestra në Prizren në ndeshjen e tretë finale. Kampione shpallet skuadra që i shënon katër fitore. Pra mund të luhen deri në shtatë ndeshje. Ndeshja e shtatë eventuale do të zhvillohet në Prizren.
Bashkimi stinorin e rregullt e përfundoi në pozitën e parë, ndërsa Trepça në të dytën. Bashkimi në gjysmëfinale e eliminoi 3:1 Pejën, ndërsa me rezultat të njëjtë Trepça e kaloi Sigal Prishtinën.
Prizrenasit po e kërkojnë titullin e dytë. Të parin e fituan në vitin 2018. Trepça i ka pesë tituj. Edicionin e kaluar e fitoi titullin pas pritjes prej 12 vjetësh.