Bashkimi i Prizrenit e luan të mërkurën ndeshjen e kthimit të raundit kualifikues të FIBA Europe Cup.
Në Wloclawek të Polonisë, prizrenasit luajnë kundër Anwilit të famshëm, nga ora 18:30.
Nënkampionin e Kosovës e pret punë e vështirë në përpjekje për ta ruajtur fitoren e ndeshjes së parë.
Të mërkurën e kaluar në “Sezai Surroi”, Bashkimi fitoi 80:75. Me tjetër fitore apo me humbje deri në katër pikë dallim, Bashkimi avancon në stinorin e rregullt të FIBA Europe Cup.
Për Bashkimin do të ishte sukses i madh.
Pos që do të siguronin edhe shumë ndeshje tjera evropiane, te skuadra e portokalltë do të mund të mburreshin që kanë eliminuar njërën prej skuadrave më cilësore në FIBA Europe Cup.
Anwili është prej skuadrave të mëdha polake, ndërsa e ka fituar titullin e kampionit në FIBA Europe Cup në vitin 2023. Vjet kishte arritur deri në fazën e dytë grupore, por pa avancuar në çerekfinale.
Bashkimi për herë të parë po luan në skenën evropiane. Dhe debutoi me sukses, përkatësisht me fitore.
Prizrenasit kanë ruajtur bazën e lojtarëve vendorë nga edicioni i kaluar. Valon Bunjakut, Lejson Zeqirit, Altin Morinës e Meriton Ismajlit u është bashkuar Jan Palokaj. Ndërkohë amerikanët e bartën barrën kryesore në ndeshjen e parë. Isaiah Cousins ishte më i miri, kurse kontribut dhanë edhe Jeremiah Bailey, Kyan Anderson e De’Quon Lake. Më pak minuta e kontribut kishte TJ Bickerstaff.
Pesë pikë megjithatë nuk janë shumë dhe për këtë janë të vetëdijshëm te Bashkimi.
“E luajmë ndeshjen kthyese ndaj Anwilit. E dimë që nuk do të jetë e lehtë, por jemi të përgatitur dhe të motivuar të japim maksimumin. Ndeshjen e parë e fituam dhe tani do të luftojmë për të siguruar edhe fitoren e dytë. Besojmë se së bashku mund të shkruajmë histori për klubin dhe qytetin tonë”, ka theksuar Lejson Zeqiri.
Bashkimi mund të kualifikohet edhe nëse mposhtet me më shumë se pesë pikë. Pos shtatë skuadrave fituese nga raundi kualifikues, në stinorin e rregullt avancojnë edhe “tre humbës me fat”, përkatësisht tri skuadrat më të mira humbëse.
Bashkimi apo Anwili do të luajnë në Grupin F të FIBA Europe Cup. Në këtë grup janë edhe Braunschweigu i Gjermanisë, PAOK-u grek dhe kampionia e Kosovës, Trepça.