Trepça ka vazhduar me fitore në Superligën e Kosovës në basketboll.
Por “xehetarët” është dashur të djersiten shumë për të mposhtur Vëllaznimin të dielën mbrëma në palestrën “Shani Nushi” në Gjakovë.
Ndeshjen e xhiros së 16-të, skuadra kampione e fitoi me rezultatin 78:73. Sfida ishte e hapur deri në aksionet e fundit, ndërsa kur po vendosej fituesi në shprehje erdhi përvoja e mysafirëve.
Në fakt në pjesën e parë dukej se Trepça do të fitonte lehtë, njëjtë si ndaj Prishtinës e Pejës në dy xhirot e kaluara. Shpejt mitrovicasit krijuan epërsi prej 20 pikëve, por gjakovarët nuk u zmbrapsën.
Çereku i parë përfundoi 24:11 për Trepçën, kurse çereku i dytë 17:15 po ashtu për skuadrën nga Mitrovica.
Vëllaznimi u afrua në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 28:21. Në minutat e fundit vendasit u afruan dy herë në dy pikë, por pa ia dalë të barazojnë.
Mustapha Amzil dhe Akili Vining kishin statistikat më të mira te Trepça. Amzil i realizoi 14 pikë, ndërsa i shtoi shtatë kërcime. Vining i kishte 18 pikë, pesë asistime e tri kërcime. Keneth Hasbrouck realizoi 14 pikë e pesë asistime, ndërsa i kishte edhe pesë topa të rrëmbyer. Batin Tuna ndihmoi fitoren me 13 pikë e katër kërcime.
Te Vëllaznimi u dallua Jericole Hellems me 23 pikë e gjashtë kërcime, por që i kishte edhe gjashtë topa të humbur. Yor Anei realizoi 13 pikë e tri kërcime, ndërsa Ziggy Reid i kishte 20 pikë e katër kërcime.
Trepça tani i ka 13 fitore e tri humbje. Udhëheqë në tabelë me 29 pikë. Vëllaznimi ka pesë fitore e 11 humbje, ndërsa po përfshihet gjithnjë e më shumë në garë për të shmangur rënien.