Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Gara e ashpër për t’i ikur pozitës së tetë – Rahoveci 029, Vëllaznimi, Prishtina...

basket

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Katër xhiro para fundit të stinorit të rregullt, Trepça e ka siguruar pozitën e parë për plejof. Me shumë mundësi direkt në gjysmëfinale të plejofit do të kualifikohet edhe Bashkimi nga vendi i dytë. Bora është në pozitë të mirë për të startuar si e treta në çerekfinale të plejofit. Golden Eagle Ylli e GO+ Peja po ashtu janë në pozitë solide për të siguruar plejofin, ndonëse çdo gjë mbetet e hapur.

Dhe në katër xhirot e fundit, gara më e fortë do të zhvillohet për të shmangur pozitën e tetë, përkatësisht të fundit, që dërgon në Ligën e Parë për edicionin e ardhshëm.

Gjashtë pozitat e para pas stinorit të rregullt prej 28 xhirosh, sigurojnë paraqitjen në plejof. Skuadra e pozitës së shtatë mbetet në Superligë. Këtë edicion nuk ka plejaut, ku luante i shtati i Superligës me të dytin e Ligës së Parë.

Ndërkohë skuadra që përfundon e teta largohet nga Superliga dhe zëvendësohet për edicionin e ardhshëm me kampionin e Ligës së Parë.

Gara për t’i ikur vendit të fundit është plotësisht e hapur. Dhe e ashpër si asnjëherë më parë.

Aktualisht i fundit është Rahoveci 029 me 32 pikë, sa i ka edhe Vëllaznimi në vendin e shtatë. Por si asnjëherë më parë, në garë për të evituar rënien është edhe Sigal Prishtina. Prishtina është e gjashta me 33 pikë.

34 pikë në vendin e pestë i ka Peja, ndërsa 35 Ylli në të katërtin.

Përjashto Trepçën që është në seri prej 16 fitoreve, në Superligë secili po e mposht secilin. Kjo bën që gara për të shmangur rënien të jetë plotësisht e hapur. Shumë do të varet edhe nga orari i skuadrave.

Rahoveci 029 deri në fund të kampionatit luan në shtëpi me Pejën, në udhëtim me Vëllaznimin, në shtëpi me Trepçën dhe në udhëtim me Yllin. Pra ka orar shumë të vështirë.

Vëllaznimi luan në udhëtim me Borën, në shtëpi me Rahovecin 029, në udhëtim me Sigal Prishtinën dhe në shtëpi me Pejën.

Prishtina edhe në xhiron e ardhshme është vendase. E pret Bashkimin. Më pas luan me në udhëtim te Peja, në shtëpi me Vëllaznimin dhe në udhëtim me Trepçën.

Rrjedhimisht dy prej ndeshjeve më të rëndësishme janë Vëllaznimi – Rahoveci 029 dhe Sigal Prishtina – Vëllaznimi.

Te të tri skuadrat janë optimistë se nuk do të mbesin në pozitën e fundit.

“E kemi dëshmuar që ky ekip nuk është për këtë pozitë. Do të vazhdojmë të luftojmë që të dëshmojmë që nuk jemi për këtë pozitë dhe që Vëllaznimi do të mbetet në Superligë”, ka thënë pas ndeshjes së fundit trajneri i Vëllaznimit, Dorant Hana.

Prishtina hoqi dorë nga liga ENBL ndër të tjera edhe për t’u fokusuar në garën në Superligë. Por kjo ndihmoi pak në takimin e fundjavës ndaj Rahovecit 029.

Prishtina më nuk llogaritet në mesin e skuadrave që e synojnë titullin. Në edicionin me shumë e shumë probleme, prioritet, katër xhiro para fundit, është sigurimi i ekzistencës.

“Humbje shumë e rëndë. Ishim në një ritëm të mirë, kemi punuar, kemi ushtruar. Nuk e kemi pritur këtë. Jemi përgatitur. Por shkoi plotësisht ndryshe prej asaj që e kemi pritur”, tha pas ndeshjes ndaj Rahovecit 029, trajneri i Prishtinës, Dushan Dubleviq.

Jo shumë kohë më parë ai kishte premtuar se Prishtina më nuk mposhtet si vendase. Por pas atij premtimi skuadra e kaltër i humbi dy ndeshje si nikoqire në Pallatin e Rinisë. Një tjetër humbje me Bashkimin do të mund të bënte që Prishtina të ketë pikë të barabarta me dy skuadrat e fundit, Vëllaznimin e Rahovecin 029.

 

1. Trepça                   24           45

2. Bashkimi               24           40

3. Bora                      24           37

4. G.E. Ylli                24           35

5. GO+ Peja             24           34

6. S. Prishtina          24           33

7. Vëllaznimi            24           32

8. Rahoveci 029      24           32

 

Xhiroja XXV

Sigal Prishtina – Bashkimi

Rahoveci 029 – GO+ Peja

Bora – Vëllaznimi

Golden Eagle Ylli – Trepça

Xhiroja XXVI

Bashkimi – Golden Eagle Ylli

Trepça – Bora

Vëllaznimi – Rahoveci 029

GO+ Peja – Sigal Prishtina

 

Xhiroja XXVII

GO+ Peja – Bashkimi

Sigal Prishtina – Vëllaznimi

Rahoveci 029 – Trepça

Bora – Golden Eagle Ylli

Xhiroja XXVIII

Bashkimi – Bora

Golden Eagle Ylli – Rahoveci 029

Trepça – Sigal Prishtina

Vëllaznimi – GO+ Peja