Seria prej 13 fitoreve e Trepçës thuajse e ka mbyllur garën për pozitën e parë në stinorin e rregullt të Superligës së Kosovës në basketboll.
Shtatë xhiro para fundit të pjesës së rregullt të kampionatit, Trepça i ka 39 pikë në vendin e parë. Bashkimi është i dyti me 35 pikë. Është thuajse e pabesueshme që “xehetarët” mund të humbin katër prej shtatë ndeshjeve të mbetura, që është “skenar” për largimin e tyre prej pozitës së parë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoMe shumë gjasa në plejof Trepça do të startojë prej pozitës së parë e Bashkimi prej të dytës. Për pozitat tjera gara është shumë më interesante. Sidomos interesante është gara për t’i ikur dy pozitave të fundit. Pozita e tetë, përkatësisht e fundit, dërgon në kategorinë e dytë. E parafundit, përkatësisht e shtata, dërgon në plejaut.
Aktualisht i fundit është Rahoveci 029 me 28 pikë. E parafundit është Sigal Prishtina me 29 pikë. Prishtina është skuadra më e suksesshme në vend, që vazhdimisht ka luftuar për trofe. Por momentalisht është në zonën që nuk ia siguron mbetjen në elitë.
Nga 29 pikë i kanë edhe Golden Eagle Ylli në pozitën e pestë dhe Vëllaznimi në të gjashtën. GO+ Peja i ka 31 pikë në vendin e katërt, kurse Bora i ka 32 në pozitën e tretë.
Rezultatet e xhiros së 21-të, e luajtur të premten e të shtunën, e kanë bërë garën për t’i ikur pozitave të fundit edhe më interesante.
Të premten Rahoveci 029 fitoi 75:69 ndaj Golden Eagle Yllit, kurse Vëllaznimi fitoi në udhëtim ndaj Pejës me rezultat 85:74. Të shtunën, Bora e mposhti Bashkimin e Prizrenit me rezultatin 86:71, kurse Trepça me kosh të sekondës së fundit, të realizuar nga Shawn Jones, e mposhti Sigal Prishtinën në kryeqytet me rezultat 86:84.
Trajneri i Prishtinës, Dushan Dubleviq, ka thënë se humbjen nga Trepça e solli fondi i limituar i lojtarëve. Prishtina po përballet me lëndimin e disa basketbollistëve.
“Kemi luajtur mirë ndaj Trepçës dhe jemi në rrugë të mirë për pjesën e mbetur të edicionit. Ishim ekip më i mirë se Trepça, por nuk kishim fat. Prishtina do të jetë më e mirë. Na duhet edhe një lojtar i madh në pozitën pesë. Do të vijë të martën apo të mërkurën. Do të na kthehen edhe lojtarët e lënduar. Askush nuk do të na mposht në shtëpi në vazhdim të kampionatit”, ka thënë Dubleviq.
Për shkak të ndeshjes së Kosovës me Sllovakinë, nuk ka xhiro të Superligës në fundjavën e ardhshme. Xhiroja e 22-të e Superligës zhvillohet më 4 e 5 mars. Të tjera ndryshime priten në skuadra, thuajse në të gjitha.
Por Trepça aktualisht po duket e pandalshme. Pos që e fitoi Kupën e Kosovës më fitore bindëse ndaj Bashkimit në finale, skuadra e Adis Beqiragiqit po shfaqet si favorite e madhe edhe për ta mbrojtur titullin e kampionit.
Ndërkohë gara për t’u ikur dy pozitave të fundit do të jetë e fortë në shtatë xhirot e mbetura, përkatësisht në pjesën e katërt të edicionit të rregullt.
“Tani kemi më shumë kohë për të përgatitur edhe më mirë ekipin. Do të vazhdojmë luftën për të mbetur në Superligë”, ka thënë trajneri i Rahovecit 029, Goran Samargjiev.
Skuadrat prej vendit të parë e deri në vendin e gjashtë luajnë në plejof. I pari dhe i dyti kualifikohen direkt në gjysmëfinale, kurse katër skuadrat e tjera fillojnë në çerekfinale.