Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, ka kërkuar reagim më aktiv nga Shqipëria ndaj deklaratave fashiste të ministres serbe Snezana Paunoviq, e cila pati deklaruar se po të ishte në vend të Sllobodan Millosheviqit “do ta spastroja etnikisht Kosovën më 1998”.
Sveçla për Euronews ka thënë se retorika e Paunoviqit është kundër shqiptarëve dhe jo vetëm Kosovës, andaj ka theksuar se pret më shumë nga Shqipëria.
“Patjetër, duke qenë se Shqipëria është vendi amë i shqiptarëve dhe duke qenë se në vetë Kushtetutën e Shqipërisë është obligim mbrojtja e shqiptarëve dhe interesave të tyre, unë pres më shumë. Do të thotë që unë pres një reagim faktik, aktiv ndaj këtyre kërcënimeve. Për shkak se këto nuk janë deklarata, këto janë edhe kërcënime, të cilat bazohen në të kaluarën, siç e thashë, shumë të dhimbshme tonën, edhe në sjelljen e Serbisë. Unë besoj se reagimi i Shqipërisë duhet të jetë më konkret dhe më aktiv. Kjo ka qenë deputete, ku ka qenë pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi–Shqipëri, në të cilin, fatkeqësisht, kanë marrë pjesë shovinistë serbë. Duhet një demaskim i kësaj sjelljeje dyfytyrëshe të Beogradit, sepse nuk ka probleme me Kosovën, por probleme me shqiptarët”, tha Sveçla.
E të enjten në seancën e Kuvendit të Shqipërisë kjo çështje ka shkaktuar përplasje mes deputetit të Lëvizjes Bashkë, Redi Muçi, dhe kreut të grupit parlamentar të Partisë Socialistë, Taulant Balla.
Muçi kërkoi që kryeministri Edi Rama të mbajë qëndrim publik duke e cilësuar “spastrimin etnik” si krim njerëzor, teksa e akuzoi qeverinë për heshtje ndaj deklaratës fashiste.
Por, Balla i është përgjigjur se reagimi i qeverisë shqiptare është bërë përmes Ministrisë së Jashtme.
“Sa i përket një deklarate jo vetëm të papërgjegjshme por indinjuese dhe të rëndë të një anëtare të qeverisë së Serbisë, reagimi i qeverisë shqiptare ka qenë në kohë, adekuat nga Ministria e Jashtme në mënyrë të menjëhershme. Ndërkohë, këto janë çështje që nuk adresohen me karagjozllëk diletantësh politikë, por janë çështje të një rëndësie kombëtare, që nuk mund të tallemi për një aspekt procedural që një kadet i ri në Kuvendin e Shqipërisë kujton se mund të marrë vëmendje politike”, ka thënë Balla.
Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ferit Hoxha, e pati quajtur të papranueshme, tronditëse dhe fyerje për viktimat e luftës deklaratën e Paunoviqit. Ai ka theksuar se procesi i normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë kërkojnë përgjegjësi dhe reflektim për t’u përballur me të kaluarën dhe se “nuk mund të ndërtohet mbi deklarata që justifikojnë apo lartësojnë politikat që sollën aq shumë dhimbje e shkatërrim”.
"Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të rënda kundër njerëzimit, krime të dënuara nga historia, nga drejtësia ndërkombëtare dhe nga vetë ndërgjegjja njerëzore, bien ndesh me vlerat mbi të cilat është ndërtuar #Evropa e sotme. Ato minojnë përpjekjet për pajtim dhe bashkëpunim, ushqejnë mosbesimin dhe urrejtjen, si dhe rihapin plagë që ende nuk janë shëruar".
Deklarata e një anëtari të qeverisë së #Serbisë, që shpreh publikisht keqardhje që në #Kosovë nuk është kryer një #spastrim etnik edhe më i madh, është e papranueshme, tronditëse dhe një fyerje e rëndë për viktimat e luftës.
— Ferit Hoxha🇦🇱 (@HoxhaFer) July 14, 2026
Relativizimi dhe normalizimi i një prej krimeve më të…
Kosova më 14 korrik e ka shpallur persona non grata Paunoviqin, ministren e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Serbi, duke ia ndaluar në mënyrë të përhershme hyrjen apo kalimin tranzit përmes Kosovës.
Kandiq: Deklarata e Paunoviqit tregon se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiqi, ka reaguar ndaj deklaratës së ministres serbe, Snezhana Paunoviq, e cila tha se po të kishte qenë në vend të Slobodan Millosheviqit, do ta kishte spastruar etnikisht Kosovën.
Kandiq, përmes një postimi në rrjetin social X, theksoi fillimisht se ministrja Paunoviq është nga Peja.
“Ajo e di shumë mirë se më 27 mars 1999, policia serbe dëboi pothuajse të gjithë popullsinë shqiptare nga Peja. Njerëzit u larguan në këmbë në kolona drejt Malit të Zi, ndërsa me autobusë u deportuan në Shqipëri. Ajo i njeh gjithashtu krimet në fshatrat Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, ku civilët u vranë dhe trupat e tyre u dogjën. Ajo i di të gjitha këto, por megjithatë e paraqet publikisht spastrimin etnik si një zgjidhje të dëshirueshme politike dhe shpreh keqardhje që ai nuk u zbatua në vitin 1998”, ka shkruar Kandiqi.
Ajo shtoi se deklaratën e Paunoviqit nuk e sheh si një qëndrim për të kaluarën, por si një mesazh se ajo ideologji nuk është braktisur.
Më herët, pasi Qeveria e Kosovës ia ndaloi përgjithmonë hyrjen në Kosovë dhe e shpalli person “non-grata”, Kandiqi e cilësoi këtë si një vendim të drejtë.
Ajo kërkoi gjithashtu që shërbimet financiare të Qeverisë së Serbisë të verifikojnë dhe të informojnë publikun nëse ministrja Paunoviq ka marrë kompensime për shpenzime të pretenduara të udhëtimit nga Peja në Beograd dhe anasjelltas. Nëse rezulton se ka përfituar mjete të tilla, sipas Kandiqit, duhet të bëhet publike shuma e marrë nga buxheti dhe ajo të mbahet penalisht përgjegjëse.
Në një tjetër postim në X, Kandiqi shkroi se “serbët që kanë punuar në institucione mendojnë njësoj si ministrja Paunoviq, por familjet e viktimave – me përjashtim të atyre që janë anëtarë të SNS-së ose kanë përfituar pozita – si dhe një pjesë e serbëve të zhvendosur nga Gjakova, Prizreni, Peja dhe fshatrat e përziera, nuk ndajnë të njëjtin qëndrim”.
Ajo kujtoi edhe largimin e serbëve nga Gjakova pas luftës.
“Më kujtohet kolona e serbëve nga Gjakova. Në një moment, kur kolona ndaloi për të pushuar, iu afrova një burri të ri që ishte me familjen dhe e pyeta pse po largohej. Ai m’u përgjigj: ‘Kam qenë me uniformë. E di sa shqiptarë janë vrarë në Gjakovë. Nuk mund të qëndroj’. Sot në Gjakovë jeton vetëm një grua serbe, e vendosur dhe e guximshme për të jetuar në qytetin e saj”, ka shkruar Kandiq.
Da Srbija ima demokratsku Vladu, zasedala bi u toku noći i smenila ministarku Paunović. Ovako, ona uz podršku SPS-s, obečava [kosovskim Srbima?] da se neće odreći politike [zločina] svoje partije.
— Natasa Kandic (@natasakandic) July 16, 2026
Preostaju samo građani. Peticija za smenu?
"U se i u svoje kljuse" https://t.co/ZDuh9j0vtZ
-
Kandiq: Deklarata e Paunoviqit tregon se ideologjia e spastrimit etnik nuk është braktisur
-
Ministrja serbe i kërkon falje Vuçiqit pas deklaratës për “spastrimin etnik të Kosovës”
-
Vuçiq: Deklarata e Paunoviqit s’e pasqyron vullnetin tim dhe politikën e qeverisë serbe
-
Kosova shpall “non grata” ministren serbe pas deklaratës fashiste
-
Deklarata fashiste e ministres serbe dënohet nga BE-ja, Kosova dhe një pjesë e opozitës në Serbi