Basketboll

Kosova në grup me Shqipërinë dhe Sllovakinë në parakualifikimet për Eurobasket 2029

Foto ilustrim

Derisa po zhvillohet faza finale e Eurobasketit, Kosova ka mësuar kundërshtarët e fillimit të rrugëtimit për Evropianin e basketbollit të vitit 2029.

Të hënën është tërhequr shorti për raundin e parë të parakualifikimeve për Eurobasket 2029.

Shorti ka përcaktuar që Kosova të jetë në grup me Sllovakinë dhe Shqipërinë. Kosova është në Grupin C.

Grupi A përbëhet nga Maqedonia e Veriut, Irlanda, Luksemburgu dhe Azerbajxhani. Në Grupin B janë Bullgaria, Norvegjia dhe Armenia.

Ndeshjet e para të këtyre parakualifikimeve janë në nëntor. Ndeshje tjera ka në shkurt dhe në verën e vitit të ardhshëm.

Tri përfaqësueset e vendeve të para dhe përfaqësuesja më e mirë e vendit të dytë avancojnë në raundin e dytë parakualifikues.