Përfaqësuesja U16 e Kosovës në basketboll e ka pësuar edhe disfatën e pestë rresht në fazën grupore të Kampionatit Evropian, Divizioni B që po mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut.
Të martën, Kosova U16 u mposht edhe nga Islanda me rezultat shumë të thellë 100:47.
Islanda i fitoi të katër çerekët. Çereku i parë përfundoi 25:14 në të mirë të islandezëve të rinj. Çereku i dytë ishte më i përafërt 19:14.
Islanda periudhën e tretë e fitoi me 17 pikë epërsi, 25:8, ndërsa të katërtin me 20 pikë epërsi, 31:11.
Më i dalluari te Kosova ishte Egzon Fazliu me 17 pikë dhe 12 kërcime. Lojë të mirë pati edhe Albion Syla me shtatë pikë dhe gjashtë kërcime.
Kosova U16, Grupin C e mbyll në vendin e fundit me pesë disfata nga po aq ndeshje.
Humbi edhe nga Holanda 61:57, Kroacia 72:61, Danimarka 87:62 dhe nga Ukraina 77:55.
Tani do të luajë ndeshje për plasman përfundimtar.