Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Basketboll

Pas xhiros së fundit kaotike, plejofi fillon me top-ndeshje

basket

Xhiroja e fundit e stinorit të rregullt të Superligës së Kosovës në basketboll ishte kaotike. Kishte paqartësi se kush do të luante në plejof, kush do të mbetej në elitë dhe kush do të largohej. Vetëm pak orë pa nisur ndeshjet vendimtare, FBK-ja lëshoi një informatë sqaruese, varësisht nga rezultatet. Por ankesat mbetën e dyshimet për “lojë të pandershme” po ashtu. 

Në fund Vëllaznimi mbeti i fundit dhe largohet nga Superliga. Rahoveci 029 u rendit i shtati dhe do të vazhdojë të garojë në Superligë, kurse Sigal Prishtina si e gjashta do të luajë në plejof.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Te Vëllaznimi kanë pranuar dështimin, Rahoveci 029 i është gëzuar mbetjes në Superligë, ndërsa skuadrat tjera i kthehen sfidës kryesore – plejofit.

Dhe plejofi fillon me top-ndeshje. Golden Eagle Ylli e Peja takohen të shtunën nga ora 19:30 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Ylli e përfundoi stinorin e rregullt në pozitën e katërt me 40 pikë, ndërsa Peja në të pestën me 39 pikë.

Ndeshja e dytë e çerekfinales së plejofit zhvillohet në Pejë në mesjavën e ardhshme, ndërsa ndeshja e tretë eventuale, sërish në Suharekë. Çerekfinalja zhvillohet deri në dy ndeshje të fituara.

Në stinorin e rregullt, Peja i fitoi dy përballjet e para me Yllin. Por suharekasve u takuan ndeshja e tretë dhe e katërt. Për më tepër, Ylli e mposhti Pejën edhe në finale të Ligës Unike, që këtë herë u zhvillua thuajse në heshtje.

Tani të dy skuadrat që kanë vuajtur për stabilitet gjatë gjithë edicionit, e kërkojnë vendin në gjysmëfinale.

Çerekfinalja tjetër e plejofit vë përballë dy skuadrat prishtinase, Borën dhe Sigal Prishtinën. Ndeshja e parë zhvillohet të dielën nga ora 19:30 në palestrën “1 Tetori”. Bora stinorin e rregullt e përfundoi në vendin e tretë me 42 pikë, ndërsa Prishtina mezi u rendit e gjashta me 38 pikë, sa i kishin edhe Rahoveci 029 dhe Vëllaznimi.

2:2 ishte bilanci i Borës dhe Prishtinës në ndeshjet e ndërsjella gjatë stinorit të rregullt. Por për shkak të formës së shfaqur së fundi, Bora vlerësohet favorite e lehtë.

Trepça si e para dhe Bashkimi si i dyti, plejofin e nisin prej gjysmëfinales, përkatësisht prej 22 prillit.

Trepça takohet me fituesin e ndeshjeve mes Yllit e Pejës, ndërsa Bashkimi me fituesin e ndeshjeve mes Borës e Prishtinës.